Várhelyi: Pa zgjerimin Evropa nuk mund të bëhet më e fortë

Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, deklaroi pas përfundimit të Konferencës Ndërqeveritare BE-Shqipëri se zgjerimi mbetet mes përparësive kryesore të Unionit.

“Sot është çelur rruga për bisedimet thelbësore çka nënkupton që tashmë do të negociojmë kushtet në të cilat Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së. Kjo është ajo çfarë po ndodh sot”, shpjegoi fillimisht zyrtari evropian.

Në vijim, Várhelyi falënderoi Presidencën hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila kujtoi ai ka nisur punën “duke e vendosur zgjerimin si përparësi politike”.

“Dua të falënderoj Presidencën e Hungarisë që vendosi zgjerimin si përparësi politike dhe bëri përpjekje të jashtëzakonshme për ta nxitur më tej. Pa zgjerimin Evropa nuk mund të bëhet më e fortë. Na duhet zgjerimi që të bëhet më e fortë”, shtoi Várhelyi.

Kujtojmë që, nga 1 korriku deri më 31 dhjetor 2024, Hungaria do të mbajë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Një moment historik për Shqipërinë

Këtë të martë të 15 tetorit në Luksemburg u mbajt Konferenca e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian.

Takimi filloi në orën 08:00, ku Shqipëria u përfaqësua nga kryeministri Edi Rama, kryenegociatorja, Majlinda Dhuka si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani.

Grupi i Parë i Kapitujve i hap rrugën fillimit të negociatave për grupe të tjera. Progresi në këto reforma do të përcaktojë gjithashtu ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Sipas metodologjisë së zgjerimit të BE-së, e rishikuar për herë të fundit në vitin 2020, Cluster 1 (Grupi i Parë i Kapitujve) hapet i pari dhe mbyllet i fundit.

Kapitujt e Cluster 1

Ky grup përbëhet nga pesë kapituj, të cilët do të hapen njëkohësisht, duke qenë kapitujt e parë të hapur në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar.

Kapitulli 23 mbi Gjyqësorin dhe të Drejtat e Njeriut synon të arrijë një sistem gjyqësor të paanshëm dhe efikas që garanton sundimin e ligjit dhe zbatimin efektiv të tij.

Ai synon gjithashtu të garantojë një proces të rregullt bazuar në parimet kushtetuese dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky kapitull përbëhet nga funksionimi i gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore.

Pas tij vjen Kapitulli 24 për Drejtësinë, Lirinë, Sigurinë, i cili synon ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të unionit si një zonë lirie, sigurie dhe drejtësie.

Ai kërkon nga Shqipëria një kapacitet administrativ të fortë dhe të mirëintegruar brenda agjencive ligjzbatuese dhe organeve të tjera përkatëse, të cilat duhet të arrijnë standardet e nevojshme.

Pjesa më e detajuar dhe më e rëndësishme është acquis i Shengenit, i cili përfshin heqjen e kontrolleve të kufirit të brendshëm dhe lëvizjen e lirë brenda BE-së.

Lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër terrorizmit, migrimi i ligjshëm dhe i parregullt, azili dhe bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale dhe civile janë disa nga çështjet e tij.

Kapitulli tjetër ai numër 5 – Prokurimi Publik – bazohet në respektimin e parimeve të përgjithshme të transparencës, trajtimit të barabartë dhe konkurrencës së lirë në lidhje me dhënien e kontratave publike në sektorë të veçantë.

Sakaq, kapitulli 18 mbi Statistikat kërkon respektimin e disa parimeve bazë të institucionit statistikor si paanshmëria, besueshmëria, transparenca, mbrojtja e të dhënave personale, si dhe publikimi periodik i statistikave zyrtare bazuar në rëndësinë e tyre për shtetin dhe individin.

Kapitulli i fundit është ai i Kontrollin Financiar, i cili fokusohet në kontrollin e brendshëm financiar publik bazuar në parimin e decentralizimit.

Aspekti unik i këtij kapitulli është se ai kërkon një organ auditimi të jashtëm të pavarur, i cili raporton periodikisht në parlamentin kombëtar në lidhje me përdorimin e fondeve publike.

Shqipëria do të bëjë kështu hapin tjetër në negociatat e anëtarësimit me BE-në, pas hapjes zyrtare të negociatave në korrik 2022.

Ajo do t’i bashkohet Malit të Zi dhe Serbisë si vendi i tretë i Ballkanit Perëndimor që hap kapitujt e negociatave.

Muajin e kaluar, Shqipëria u shkëput nga Maqedonia e Veriut, e cila mbetet e bllokuar në rrugën e saj të anëtarësimit për shkak të vetos së Bullgarisë. Vendimi u kritikua nga analistë. /Albanianpost.com

Read Previous

Froni i Hekurt nga “Game of Thrones” shitet në ankand për gati një milion e gjysmë dollarë

Read Next

Hapja e negociatave, Begaj: Tani e kemi ne në dorë rrugëtimin drejt BE-së