Varhelyi: “Ballkani i Hapur” s’është zëvendësim i BE-së

“Iniciativa rajonale e Ballkanit të Hapur nuk është zëvendësim i Bashkimit Evropian”, ka thënë komisionari evropian për zgjerim dhe fqinjësi, Oliver Varhelyi, në një konferencë të përbashkët për mediat me shefin e politikës së jashtme evropiane, Josep Borell dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç në Podgoricë, raportoi televizioni publik malazez.

Bashkëpunimi rajonal përmes platformës ekonomike në fjalë, Varheily tha se “ka potencial të jashtëzakonshëm”.

“Jo vetëm në aspektin e arritjes së rezultateve, por disa thonë, si Banka Botërore, se nëse Ballkani zbaton katër liritë që kemi në BE, ata mund të shtojnë një të tretën shtesë në Bruto Produktin e Brendshëm të tyre”.

“Kjo është një çështje që është në duart e rajonit. Rajoni duhet ta bëjë këtë duke hequr barrierat. Ne kemi bërë një plan investimi ekonomik duke pasur parasysh këtë”, tha Varhelji.

Ai vlerësoi se është e rëndësishme që Ballkani i Hapur të jetë i hapur për të gjithë dhe të bazohet në rregullat e BE-së.

“Ky nuk është zëvendësim i anëtarësimit në BE. Çdo bashkëpunim rajonal që bazohet në vlerat dhe rregullat tona do të ndryshojë mentalitetin. Mendoj se iniciativa ka një potencial të madh, por duhet të shoqërohet me kushte të përshtatshme”, tha Varhelyi.

Varhelji theksoi se Mali i Zi po humb kohë të çmuar.

“Nuk mund ta përballoni këtë këto ditë, ajo kohë do t’ju lëndojë dyfish. Tani duhet të përqendroheni se si të shpejtoni punën në rrugën drejt BE-së. E di që jeta politike këtu është plot ngjyra sa herë që vij tek ju. por ju lutemi ta bëni në një mënyrë për të arritur rezultate në interesin tuaj, që është rruga evropiane”, tha Varhelyi.

Konferencë e përbashkët për media në Podgoricë: Shefi i politikës së jashtme evropiane, Josep Borell / Komisioneri evropian për zgjerim dhe fqinjësi, Oliver Varhelyi / Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic tha se mbajtja e Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Mali i Zi është një njohje e madhe për vendin dhe se kjo tregon se në Ballkanin Perëndimor ideja e zgjerimit jeton më së shumti përmes Malit të Zi.

“Kemi pasur një takim shumë konstruktiv. Ajo që duam të theksojmë është se Qeveria e Malit të Zi sheh vetëm një prioritet kryesor politik të jashtëm – dhe kjo është se si ta bëjmë Malin e Zi anëtarin e ardhshëm të BE-së. Të gjithë duhet të jemi të përkushtuar për këtë çështje”.

“Duhet t’i zgjidhim gjërat që kërkojnë një konsensus më të gjerë në shoqëri, të ecim drejt zhbllokimit të rrugës evropiane, drejt së cilës janë vendimet me dy të tretat apo tre të pestat në parlament që lidhen me Këshillin Gjyqësor, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjen e VDT-së në mandat të plotë”, tha Abazoviç.

Ai tha se nëse Mali i Zi arrin t’i japë këto rezultate, ai beson se Komisioni Evropian do ta njohë këtë në raportin e progresit dhe se Mali i Zi do të shkojë drejt standardeve përfundimtare.

Josep Borell theksoi se takimi ishte i rëndësishëm për t’u treguar qytetarëve të Malit të Zi dhe të gjithë rajonit përkushtimin për një të ardhme të përbashkët në BE.

“Sot rishikuam marrëdhëniet tona me Malin e Zi dhe procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në BE. Diskutuam ngjarjet rajonale. Theksuam rëndësinë e agjendës evropiane të Malit të Zi”.

“Fuqia dhe fokusi i të gjitha subjekteve politike duhet të përqendrohet në zbatimin e reformave evropiane. Nuk duhet të ketë asgjë më të rëndësishme për Malin e Zi sesa rruga evropiane, veçanërisht në një kohë kur Mali i Zi duhet të jetë lider në negociatat për anëtarësim”, tha Borell.

Ai theksoi se Mali i Zi ka mundësi të jetë një tregim suksesi, sepse tashmë janë hapur shumë kapituj.

“Është koha për të kaluar në fazën tjetër, por kjo kërkon angazhim të plotë për zbatimin e të gjitha reformave të lidhura me BE – në gjyqësor, media, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” tha Borell. /Albanianpost.com

Read Previous

Gjonson Simoni, i riu që nuk e heq asnjëherë plisin nga koka

Read Next

“Activism Roots” dhe “Ec Ma Ndryshe” kërkojnë qasjen e PAK në institucionet publike