Trafiku hekurudhor është ndërprerë “të paktën për disa ditë” mes Parisit dhe Milanos pas stuhive të fuqishme që goditën luginën e Maurienne në Alpet franceze.
Këtë e ka njoftuar kompania hekurudhore franceze SNCF për agjencinë France Presse, pas stuhive në zonën e Modane, në Luginën e Maurienne, në Savojë. Operacionet e pastrimit janë në zhvillim. Ndërkohë, për shkak të vapës së madhe, Kulla Eiffel në Paris është mbyllur për vizitorët. Në kryeqytetin francez është shpallur alarm i kuq për temperaturat e larta, çka ka çuar në mbylljen e Kullës Eiffel të paktën deri nesër.
Agjencia meteorologjike franceze Météo France ka lëshuar sot alarmin e kuq për valë të të nxehtit në 16 rajone.
Sa i përket dëmeve hekurudhore, kompania franceze SNCF shpreson që të mos ketë dëme në binarë, pasi kjo do ta zgjaste edhe më shumë ndërprerjen e lidhjeve mes Parisit dhe Milanos. Sipas Prefekturës së Savojës, pas të nxehtit përvëlues që ka përfshirë zonën, stuhitë e dhunshme shkaktuan një përmbytje të rrallë në 70 vite të përroit Charmaix, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në Modane dhe zonat përreth, pranë kufirit me Italinë. Nuk raportohet për viktima.
Për pezullimin e trafikut hekurudhor ka reaguar edhe grupi FS, duke sqaruar se “pezullimi prek vetëm segmentin ndërkufitar, ndërsa shërbimet italiane vazhdojnë normalisht deri në Bardonecchia. Si pasojë e ndërprerjes, lidhjet me shpejtësi të lartë Frecciarossa mes Milanos dhe Parisit janë anuluar për sot. Udhëtarëve u ofrohet rimbursim i plotë i biletës ose mundësia për të riprogramuar udhëtimin në një datë tjetër pa kosto shtesë. Aktualisht nuk është e mundur të përcaktohet me siguri një datë për rifillimin e shërbimit ndërkombëtar.
Lidhjet e brendshme Frecciarossa brenda Francës mes Parisit dhe Lionit, si dhe mes Parisit dhe Marsejës, përfshirë ndalesat ndërmjetëse, mbeten në funksion të rregullt. Grupi FS dhe Trenitalia France janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet hekurudhore franceze (SNCF Réseau) për të monitoruar situatën dhe për të ofruar përditësime të shpejta për pasagjerët.”