Kanë kaluar pak më shumë se 24 orë që kur Izraeli nisi një sulm masiv me dy drejtime kundër Iranit, që synonte shkatërrimin e centraleve bërthamore të vendit dhe rrëzimin e udhëheqjes së tij ushtarake në Teheran.
Irani, i cili u zotua për një “përgjigje shkatërruese” ndaj sulmit, nisi disa valë sulmesh vdekjeprurëse kundër vendeve në të gjithë Izraelin gjatë natës deri të shtunën, me të dyja palët që raportuan vdekje dhe plagosje të shumta.
Sirenat u dëgjuan në Izrael deri të shtunën në mëngjes dhe shpërthime u raportuan në Tel Aviv, Jerusalem dhe Teheran, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit rrezikon ta fusë Lindjen e Mesme në një luftë më të gjerë.
Ja çfarë duhet të dini:
Sulme gjatë natës: Forcat iraniane lëshuan disa valë raketash drejt Izraelit gjatë natës deri të shtunën. Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit thanë se shënjestruan qendrat ushtarake dhe bazat ajrore izraelite në sulmet me raketa të premten. Ndërkohë, sistemi i mbrojtjes ajrore i Teheranit ishte aktiv deri në orët e para të së shtunës pas një raundi tjetër sulmesh izraelite, raportuan mediat shtetërore iraniane, shkruan CNN.
Ndërhyrjet dhe dëmet: Ushtria izraelite pretendoi se ka ndërhyrë në disa nga valët e fundit të raketave iraniane, por ka raportime për njerëz të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave, si dhe shtëpi të shkatërruara ose të dëmtuara. Ekipet e emergjencës po reagonin ndaj predhave të rëna. Shpërthime të forta u dëgjuan në Tel Aviv dhe Jerusalem.
Vdekje dhe lëndime: Sulmet hakmarrëse të Iranit kanë vrarë të paktën dy persona, thanë autoritetet izraelite. Një person u vra dhe më shumë se 20 u plagosën pasi një raketë iraniane goditi pranë shtëpive në Rishon Lezion, pak në jug të Tel Avivit. Dhe një grua u vra kur një fragment arme ra në Ramat Gan, gjithashtu pranë Tel Avivit. I dërguari i Izraelit në SHBA tha më parë se rreth 40 persona ishin plagosur. Në Iran, të paktën 78 persona u vranë në sulmet izraelite, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë, tha të premten i dërguari i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani. Më shumë se 320 persona u plagosën, shumica prej tyre civilë, shtoi ai.
Bazat e forcave ajrore në Iran janë në shënjestër: Ushtria izraelite tha se të premten goditi dy baza të forcave ajrore iraniane – të përdorura për operacione me raketa dhe dronë. Ato përfshijnë bazën ajrore Hamadan në Iranin perëndimor dhe bazën ajrore Tabriz, një vend për lëshimin e raketave tokë-tokë, në veriperëndim të vendit, transmeton KosovaPress.
Paralajmërime për më shumë sulme në të ardhmen: Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha të premten vonë se Irani kishte “kaluar vijat e kuqe” duke qëlluar qendrat e popullsisë civile dhe u zotua se do të paguante një “çmim shumë të rëndë”. Irani tha se do të intensifikonte sulmet e tij ndaj Izraelit dhe do të synonte bazat rajonale të çdo vendi që përpiqet ta mbrojë atë. Netanyahu e paralajmëroi Iranin të premten se “më shumë sulme janë në rrugë e sipër”.
Bisedimet bërthamore: Një raund i gjashtë bisedimesh bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit duhej të fillonte të dielën. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i tha Reuters se bisedimet e Uashingtonit me Iranin janë ende të planifikuara, megjithëse nuk është i sigurt nëse ato do të vazhdojnë. Trump i tha NBC News se Irani “mund të ketë një mundësi tjetër” për të arritur një marrëveshje bërthamore dhe la të kuptohej se iranianët po i drejtohen atij.
Si arritëm këtu: Të premten në mëngjes, Izraeli nisi një valë sulmesh të paprecedentë ndaj Iranit, duke goditur vendet kyçe në programin bërthamor të vendit, si dhe zonat e banimit në kryeqytetin Teheran dhe duke vrarë disa nga udhëheqësit ushtarakë më të lartë të vendit. Izraeli kishte kërkuar vazhdimisht një opsion ushtarak për të ndaluar programin bërthamor të Iranit. Të premten tha se Teherani kishte përparuar një “program sekret për të montuar një armë bërthamore” dhe ishte më afër se kurrë që të ishte në gjendje të siguronte një të tillë. Irani ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk po ndërton një bombë dhe se programi i tij bërthamor është për qëllime energjetike./Kosovapress