Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë uruar Albin Kurtin, që doli fitues i zgjedhjeve të së dielës, por në urimin e tyre ata kanë pasur një kërkesë për të. Josep Borrell, Oliver Varhelyi, Mirosllav Lajçak dhe deputetja Renata Alt kanë kërkuar nga Kurti që të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbinë.
Një ditë pasi që Albin Kurti doli fituesi i zgjedhjeve me 47.90% të votave sipas KQZ-së, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, kanë uruar atë duke kërkuar nga ai që të angazhohet për dielogun me Serbinë.
Josep Borrell dhe komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi presin nga Qeveria e re e Kosovës që të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbinë.
“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me autoritetet, me synimin për të mbështetur Kosovën në arritjen e progresit të prekshëm në rrugën e saj Evropiane.
“Kjo do të kërkojë që Kosova të përparojë në reformat, të udhëhequra nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Agjenda e Reformës Evropiane, si dhe në bashkëpunimin rajonal. Rruga evropiane e Kosovës gjithashtu kalon përmes normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë dhe BE pret që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve të Dialogut të lehtësuar nga BE dhe të shfrytëzojnë mundësinë para tyre për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Borrellit dhe Varhelyit.
Të njëjtën kërkesë e ka pasur edhe i dërguari i special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Zgjedhjet e djeshme në Kosovë demonstruan maturi të institucioneve të saj, gjithë aktorëve relevantë dhe partive politike. Qytetarët kanë bërë që zëri i tyre të dëgjohet dhe po shikoj para të punoj me qeverinë në ardhje në vazhdimin e dialogut”, ka shkruar Lajçak.
Bashkimi Evropian ka vendosur një Mision të Ekspertëve Zgjedhor (EEM) i cili do të mbetet në Kosovë për të ndjekur procedurat post-zgjedhore gjithashtu dhe për të nxjerrë rekomandime.
Pas zgjedhjeve në Kosovë ka reaguar deputetja liberale e Bundestagut, Renata Alt. Ajo e sheh si rrezik për transformimin politik në Kosovë qëndrimin e pakompromis të Albin Kurtit.
Deputetja liberale e Bundestagut, Renata Alt, anëtare e Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe raportuese e partisë liberale FDP për Evropën Lindore e Juglindore në një reagim për Deutsche Wellen pas zgjedhjeve në Kosovë thekson se fitorja e Vetëvendosjes, tregon se sa e madhe është dëshira për transformim në Kosovë.
Deputetja Alt sheh gjithashtu me skepticizëm qëndrimin e pakompromis të Albin Kurtit.
“Nëse Vetëvendosja nuk do që pas optimizmit të madh të vijë zhgënjimi i madh, duhet që ajo të çlirohet nga kursi ideologjik dhe të ndjekë dialogun. Kjo është e pazëvendësueshme edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për një marrëdhënie të besueshme me diplomatët evropianë. BE ka në të njëjtën masë përgjegjësinë për të realizuar liberalizimin shumë të vonuar të vizave”, shprehet deputetja gjermane për mediat.