Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, të shtunën në Kampin “Film City” në Prishtinë ka takuar shefin e trupave të Hungarisë në Kosovë, Gabor Borondi, me ç’rast janë diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Komandanti i KFOR-it theksoi aktivitetet e KFOR-it dhe shprehu vlerësimin e tij për kontributin e çmuar të Hungarisë në përpjekjet e KFOR-it dhe në stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftim.
Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.
Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ndërkaq Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” se ekziston një rrezik real sa i përket hapjes së urës kryesore në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë seriozisht në sigurinë e ushtarëve të KFOR-it, duke përfshirë ata amerikanë.
“Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka theksuar Hovenier, krahas thirrjes për Qeverinë e Kosovës që mos të ndërmarrë veprime drejt hapjes së urës së Ibrit në këtë moment. /Albanianpost.com