Ukraina pranon armëpushimin

Dy javë pas takimit famëkeq në Shtëpinë e Bardhë mes Donald Trumpit dhe Volodymyr Zelenskyt, Ukraina ka pranuar marrëveshjen për armëpushimin 30 ditësh  teksa SHBA-ja ka insistuar se “topi tani është në anën e Rusisë” si formë presioni ndaj Vladimir Putinit.

Të martën është publikuar një deklaratë e përbashkët mes Ukrainës dhe SHBA-së, në të cilën thuhej se Ukraina është e gatshme të pranojë propozimin e SHBA-së për të nisur një armëpushim të menjëhershëm prej 30 ditësh me Rusinë dhe për negociatat për fundin e luftës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili ka qenë kyç në bisedime, u ka thënë gazetarëve se “topi është në fushën e rusëve” dhe se do ta dërgojë ofertën në Moskë.

Ai ka thënë se shpreson që rusët të pajtohen me armëpushimin.

Rubio ka thënë se oferta është që të ndalen luftimet, përtej propozimit të Zelenskyt për armëpushim të pjesshëm në det dhe në qiell.

“Sot do të vriten njerëz në këtë luftë, janë vrarë dje dhe fatkeqësisht nëse nuk ka armëpushim, do të vdesin nesër”, ka thënë Rubio, duke shtuar se Trumpi dëshiron fund të luftës në Ukrainë.

Ndërkaq, Administrata Trump ka hequr pezullimin e ndihmës ushtarake dhe të inteligjencës për Ukrainën pasi Kievi ka sinjalizuar se është i hapur për armëpushim 30-ditor në luftën me Rusinë, kanë thënë zyrtarët amerikanë dhe ukrainas të martën pas bisedimeve në Arabinë Saudite.

Administrata amerikane kishte vendosur masat një javë më parë për të shtyrë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të hyjë në bisedime për t’i dhënë fund luftës me forcat pushtuese ruse.

Ndërkohë Rusia ka lëshuar 126 dronë dhe një raketë balistike në Ukrainë, kanë njoftuar forcat ajrore ukrainase, si pjesë e goditjeve të pamëshirshme të Moskës ndaj zonave civile gjatë luftës.

Read Previous

Stafi i USAID-it merr një e-mail tjetër

Read Next

Shkëmbimi i kadetëve të FSK-së me ata kanadezë, po shkon mirë