E vendosur gjashtë metra nën tokë, “shkolla bunker” e parë e ndërtuar me qëllim për t’i mbrojtur nxënësit nga bombardimet ruse, tani është gati për shkollarët në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv.
Hyrja në institucionin arsimor nuk është bërë publike për arsye sigurie, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Harkivi, një qytet që ndodhet më pak se 35 kilometra nga kufiri rus, ka hapur shkollën e tij të parë nëntokësore të ndërtuar me qëllim mbrojtjeje mes sulmeve të përditshme ruse me raketa.
Objekti është ndërtuar me sisteme moderne të ventilimit dhe rigjenerimit të ajrit për të parandaluar lagështinë e lartë. Gjithashtu, është i pajisur me mbrojtje kundër rrezatimit.
Shumica e fëmijëve të Harkivit kanë mbajtur mësim online, me disa klasa që ofrohen në stacionet e metrosë së qytetit. Për shkak të hapësirës së kufizuar, jo të gjithë fëmijët mund të përfshiheshin në mësim.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë, janë vrarë më shumë se 10.000 civilë, nga të cilët 587 ishin fëmijë, sipas shifrave të OKB-së të publikuara në shkurt./REL