Një anije me kontejnerë u largua nga porti ukrainas i Detit të Zi të Odesa, të mërkurën në mëngjes, tha qeveria, duke përdorur atë që e ka përshkruar si një korridor të ri të përkohshëm për anijet tregtare drejt dhe nga portet e saj, të cilat janë të bllokuara nga Rusia.
Ukraina javën e kaluar njoftoi një “korridor humanitar” në Detin e Zi për të liruar anijet e ngarkesave që janë bllokuar në portet e saj, që kur Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Moska nuk ka treguar nëse do të respektojë korridorin e transportit detar dhe burimet e transportit dhe sigurimit kanë shprehur shqetësime për sigurinë.
“Një anije e parë përdori korridorin e përkohshëm për anijet tregtare drejt/nga portet e Big Odesa,” tha zëvendëskryeministri Oleksandr Kubrakov në Facebook.
Ai e identifikoi anijen me kontejnerë si “JOSEPH SCHULTE” me flamur të Hong Kongut dhe tha se kishte qenë në port që nga 23 shkurt 2022, një ditë para pushtimit.
Ai tha se anija mbante më shumë se 30 mijë tonë metrikë ngarkesë në 2 mijë e 114 kontejnerë.
“Korridori do të përdoret kryesisht për evakuimin e anijeve që ishin në portet e Ukrainës (Chornomorsk, Odesa dhe Pivdennyi) në kohën e pushtimit në shkallë të plotë të Federatës Ruse”, tha zëvendëskryeministri.
Teksa, mbi një marrëveshje të re të grurit, po punohet instensivisht nga pala turke, me presidentin Recep Tayyip Erdogan, i cili është angazhuar në bisedime intensive me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për të gjetur zgjidhje ndaj problemit.
Putin madje, pritet edhe të shkojë personalisht ta takojë Erdoganin në Turqi, në atë që mund të jetë edhe precedenti i parë i një vizite të personit më të sanksionuar në botë, në një vend aleat të NATO-s.
/albanianpost/