Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka kritikuar të mërkurën një propozim fillestar nga Shtetet e Bashkuara në negociatat mbi programin bërthamor të Teheranit që përparon me shpejtësi, megjithëse ai nuk e ka hedhur poshtë plotësisht idenë e një marrëveshjeje me Uashingtonin.
Khamenei e ka përshkruar propozimin e SHBA-së si “100% kundër idesë ‘ne mundemi'”, huazuar nga një slogan i qeverisë iraniane, raporton AP.
Ai gjithashtu ka këmbëngulur se Teherani duhet të ruajë aftësinë e tij për të pasuruar uranium.
“Nëse do të kishim 100 centrale bërthamore pa pasuruar, ato nuk janë të përdorshme për ne. Nëse nuk kemi pasurim, atëherë duhet t’i shtrijmë dorën SHBA-së”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, disa vende me energji bërthamore marrin uranium nga furnizues të jashtëm.
Detajet e propozimit amerikan mbeten të paqarta pas pesë rundeve bisedimesh midis Iranit dhe SHBA-së.
Një raport nga faqja e internetit e lajmeve Axios përshkroi detajet e propozimit amerikan, detajet e të cilave një zyrtar amerikan i konfirmoi veçmas, përfshijnë një konsorcium të mundshëm bërthamor që pasuron uranium për Iranin dhe vendet përreth.
Mbetet e paqartë nëse Irani do të duhet të heqë dorë plotësisht nga programi i tij i pasurimit, pasi Axios raportoi se Irani do të jetë në gjendje të pasurojë uranium deri në 3% pastërti për një farë kohe.
Arritja e një marrëveshjeje është një nga disa prioritetet diplomatike të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Marrëveshja do të bënte që Shtetet e Bashkuara të heqin disa nga sanksionet e tyre ekonomike shkatërruese ndaj Iranit, në këmbim të kufizimit ose përfundimit drastik të pasurimit të uraniumit.
Por një dështim për të arritur një marrëveshje mund të ngjallë tensione të mëtejshme në një Lindje të Mesme edhe ashtuy të tensionuar për shkak të luftës Izrael-Hamas në Rripin e Gazës./koha.net/