U përpoq ta shpëtonte motrën e saj dhe si pasojë ranë të dyja nga kati i katërt – detaje nga rasti tragjik në Ferizaj

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të shtunën mbrëma në Ferizaj, ku dy vajza njëra 18 vjeçare dhe tjetra 15, ranë nga kati i katërt i një objekti banesor.

Si pasojë e kësaj, njëra nga vajzat ka humbur jetën kurse tjetra ka pësuar lëndime trupore.

Zëdhënësi i policisë në Ferizaj, Kanun Veseli ka thënë se vajzat janë motra mes vete.

Ai ka treguar se deri te rasti tragjik ka ardhur pasi që e ndjera kishte tentuar të kërcej ndërkaq motra e saj kishte tentuar që ta shpëtonte dhe si pasojë kanë rënë të dyja.

“Rasti është cilësuar si “vetëvrasje”. Nga hetimet që janë zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve, mësohet se e ndjera kishte tentuar të kërcej nga ndërtesa, ndërsa në përpjekje për ta shpëtuar motra vet, kanë rënë të dyja”, ka thënë Veseli.

Rasti kishte ndodhur mbrëmë rreth orës 21:35.

“Me datën 21.01.2023 rreth orës 21:35 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën ‘Sandër Prosi’ në Ferizaj, dy vajza të moshës 18 dhe 15 vjeç kanë rënë nga kati i katërt i një objekti banesor”, deklaroi mbrëmë policia.

Sipas policisë, vajzat në gjendje të rëndë shëndetësore janë dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor në QKUK-Prishtinë, ku më pas është konfirmuar edhe vdekja e 15-vjeçares. 

/Telegrafi/

Read Previous

Dita e 333-të e luftës Rusi-Ukrainë

Read Next

Të shtëna masive në Kaliforni, raportohet për disa të plagosur