​Diabeti prek miliona njerëz, IKSHPK me thirrje për parandalim dhe zbulim të hershëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) po vazhdon fushatën vetëdijësuese për diabetin, duke theksuar rëndësinë e parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe kujdesit të vazhdueshëm ndaj personave të prekur nga kjo sëmundje.

Fushata zhvillohet në prag të Ditës Botërore të Diabetit, e cila shënohet çdo vit më 14 nëntor dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për një sëmundje që prek miliona njerëz në mbarë botën.

Sipas IKSHPK-së, përballja me diabetin kërkon angazhim të përbashkët për mbrojtjen e shëndetit, zvogëlimin e rrezikut dhe sigurimin e trajtimit të duhur për të gjithë pacientët.

Motoja e këtij viti, “Diabeti në të gjitha etapat e jetës”, vë në pah nevojën për kujdes shëndetësor në çdo moshë, duke kërkuar që personat e diagnostikuar të kenë qasje të barabartë në shërbime cilësore dhe të përballueshme.

Përmes kësaj fushate, IKSHPK synon të sensibilizojë qytetarët për rëndësinë e zbulimit të hershëm të diabetit dhe kujdesit të vazhdueshëm, me qëllim të përmirësimit të shëndetit dhe mirëqenies në të gjitha fazat e jetës. /KosovaPress/

Read Previous

Sahiti: Zhegrovës po i bëhet padrejtësi në klubin e tij