I kërkoi FIFA-s rikthimin e Rusisë, Mesut Ozil përfundon në “listën e zezë” të ukrainasve

Ish-ylli i kombëtares gjermane, Mesut Ozil, është përfshirë në bazën e të dhënave të faqes ukrainase “Mirotvorets”, e cila publikon emrat e personave që autorët e saj i konsiderojnë kërcënim për sigurinë e Ukrainës.

Vendimi për përfshirjen e ish-futbollistit në këtë listë erdhi pas deklaratës së tij drejtuar FIFA-s, ku kërkoi që Rusia të rikthehet në futbollin ndërkombëtar dhe akuzoi organizatën për standarde të dyfishta.

Më 21 tetor, në Stamboll, pas një ndeshjeje të veteranëve kundër Zenitit, Ozil bëri thirrje që FIFA t’i trajtojë të gjitha shtetet në mënyrë të barabartë.

“I bëj thirrje FIFA-s që të heqë dorë nga standardet e dyfishta dhe t’i trajtojë të gjithë në mënyrë të barabartë”, kishte deklaruar gjermani, duke vënë në dukje se Rusia ishte pezulluar nga garat ndërkombëtare, ndërsa Izraeli jo.

Në arsyetimin për përfshirjen e tij në listë, “Mirotvorets” e akuzon Ozilin për “propagandë lufte” dhe i interpreton deklaratat e tij si mbështetje publike për agresionin rus dhe vrasjen e qytetarëve ukrainas.

Edhe Ambasada e Rusisë në Kenia reagoi për rastin. Më 10 nëntor, përmes një postimi në rrjetin social X, ajo pretendoi se Ozil ishte përfshirë në atë që e quajti “listë të likuidimit”, për shkak të thirrjes së tij drejtuar FIFA-s.

Çfarë është “Mirotvorets”?

Faqja “Mirotvorets” është krijuar në vitin 2014 dhe nuk është pjesë e institucioneve zyrtare të Ukrainës. Ajo është kritikuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare për publikimin e emrave dhe të dhënave personale të individëve pa një proces të verifikimit ligjor.

Platforma është cilësuar edhe si “lista e të vdekurve”, pasi disa persona të përfshirë në të kanë përfunduar më vonë të vrarë ose janë përballur me kërcënime.

Në fillim të tetorit, në këtë bazë të të dhënave ishte përfshirë edhe mbrojtësi i Liverpoolit dhe kombëtares së Hungarisë, Milos Kerkez, pas ndeshjes së Ligës së Kombeve mes Ukrainës dhe Hungarisë, raportoi agjencia ukrainase e lajmeve UNN.

Ozil e përfundoi karrierën si futbollist në vitin 2023, duke lënë pas një karrierë të pasur në futbollin evropian. Ai u shpall kampion i botës me Gjermaninë në vitin 2014, fitoi La Ligën dhe Kupën e Mbretit me Real Madridin, tri herë Kupën FA me Arsenalin, si dhe Kupën e Gjermanisë me Werder Bremenin. /Telegrafi/

Read Previous

Pentagoni vazhdon shqyrtimin e pranisë amerikane në Evropë

Read Next

Çfarë po ndodh me stadiumin “Adem Jashari”?