U mbyt në Titanik dhe u dogj nga bombardimet naziste, libri i “mallkuar” i Omar Khayyám

“Omari i madh”, një libër i rrallë i zbukuruar me gurë të çmuar, u dërgua nga Londra në Nju-Jork në prill të vitit 1912. Libri i Omar Khayyam, u mor në bordin e Titanikut dhe u fundos në fund të Oqeanit Atlantik, 110 vjet më parë, ndërsa botuesi që u mor me punimin e librit u mbyt në bregdetin anglez. Nga fundi i viteve 1930, për shkak se ishte aq e veçantë, vepra u botua edhe njëherë me shpenzime të mëdha, por u dogj nga bombarduesit gjermanë në Londër.

“Sa më i lartë të jetë çmimi, aq më shumë do të jem i kënaqur”

Në vitin 1911, Francis Sangorski përfundoi një punë për të cilën ishte përkushtuar më shumë se dy vjet. Një punim mahnitës. Me përmasa 40 cm me 35 cm, libri ishte i veshur me 1050 bizhuteri, duke përfshirë rubinë dhe smeraldë. Për rikrijimin e tij u përdorën rreth 9 metra katrorë fletë ari dhe rreth 5000 copë lëkure.

Sangorski u kujdes për të perfeksionuar çdo detaj, aq sa përdori kafkën e një njeriu për të përshkruar me saktësi vizionin e tij artistik. Ai madje i dha ryshfet një rojtari në kopshtin zoologjik të Londrës për t’i ushqyer një gjarpri një mi të gjallë, në mënyrë që të mund të fiksonte imazhin e frikshëm për ta realizuar si pikturë në vepër. Pas përfundimit të punës, ai u vlerësua me një çmim të rëndësishëm.

Sangorski kaloi disa muaj duke krijuar dizajnin e librit, duke përfshirë gjarprin dhe kafkën brenda kopertinave

Në 1907, Sangorski takoi John Stonehouse, menaxher i librarisë Sotheran, e cila u themelua në 1761 dhe është ende funksionale sot. Sangorski i tregoi për ëndrrat e tij për një libër, origjina e të cilit mendohet të jetë që nga shekulli i 12-të. Sangorski kishte punuar më parë edhe disa versione të Rubáiyát-it të njohur të Omar Khayyám, por për “Omarin e Madh” tha se donte ta zbukuronte me gurë të çmuar “të tillë që nuk ishin parë kurrë më parë”.

Libri përbëhej nga pjesë të ndryshme: kopertina e përparme dhe e pasme, pjesa e brendshme dhe ilustrime shtojcë. Ai u zbukurua me motive të ndryshme si gjethe, shpendë, bimë, kafka dhe ornamente persiane që simbolizojnë jetën dhe vdekjen. Shtëpia botuese askohe, e përshkroi atë si “ekzemplarin më të mirë dhe më të shquar të projektuar ose të prodhuar ndonjëherë, në çdo periudhë ose në çdo vend”.

“Një mallkim që e ndjek”

Shtëpia botuese Sotheran’s e nxori librin në shitje për një vlerë marramendëse, ekuivalente sot me 120 000 paundë. Mirëpo, pavarësisht punimit tejet të rrallë, aristokratët apo artdashësit e kohës refuzuan ta blinin, jo për çmimin më shumë se sa për paragjykimin që kishin për këtë vepër letrare. Sipas kritikëve letrarë, Omar Khayyám nuk vlerësohej asokohe. Madje menaxheri i Mbretit Eduard VII në Kështjellën Windsor, Sir John Fortescue ishte ndër të parët që iu ofrua shansi për ta blerë, por nuk pranoi, duke e përshkruar si një vepër të papërshtatshme, të paefektshme dhe të parëndësishme.

Një tregtar nga Nju-Jorku i quajtur Gabriel Wells ndodhej në Londër në verën e vitit 1911 dhe i bëri shumë përshtypje vepra, për të cilën ofroi 800 paundë, por shtëpia botuese nuk ra dakord. Për shkak të mungesës së interesit në Britani, u vendos që “Omari” të dërgohej në Amerikë, e cila kishte një treg librash më fitimprurës. Por dhe atje për shkak të burokracive nuk arritën ta shisnin. Libri nisi të konsiderohej një mallkim i madh, ndaj u vendos që të shitej sa më shpejt të ishte e mundur përmes ankandit. Më 29 mars 1912, libri iu shit po Gabriel Wells për 405 funte.

Tragjedia e Titanikut

Më 6 prill, libri u nis për tek i zoti në Amerikë, përmes Titanikut. Fatkeqësia e Titanikut, në të cilën vdiqën më shumë se 1500 njerëz, është sigurisht një nga ngjarjet më të njohura të shekullit të 20-të, megjithatë pak dihet për atë që i ndodhi veprës në bordin e anijes. “Omar” ishte ndoshta më i njohuri nga thesaret e humbura në oqean. Sir John, menaxheri i bibliotekës kombëtarë asokohe, do të deklaronte se fundi i Atlantikut ishte padyshim “vendi më i mirë për të”.

Tragjedia e mëtejshme do të pasonte vetëm 10 javë pas fundosjes së Titanikut. Francis Sangorski, mjeshtri që realizoi këtë ekzemplar të rrallë, u mbyt në det në në Sussex, Angli. Sipas hetimeve ai u rrëzua aksidentalisht dhe më pas u mor nga rryma e fortë e ujit. Në epitafin e varrit të tij shkruhet: “Jeta për të si një mjeshtër sapo ka filluar”.

Bombardimet naziste në Londër

Në vitin 1924, nipi i George Sutcliffe – botuesi i parë i veprës – gjeti vizatimet origjinale të Sangorskit dhe vendosi të rikrijojë veprën e shkëlqyer. Bray kaloi vite duke u munduar për botimin e dytë të zbukuruar me xhevahire. Lidhja përfundoi, në kohën kur lufta përfshiu Evropën. Për t’u ruajtur nga bombardimet, libri u vendos në një kasafortë të sigurt, por gjithsesi nuk arriti të shpëtonte. Për ironi të fatit ndonëse kasaforta u gjet e padëmtuar, faqet e librit brenda ishin djegur nga nxehtësia e madhe.  

Puna për botimin e tretë nisi menjëherë pas përfundimit të Luftë së Dytë Botërore. Shumë nga bizhuteritë që kishin mbijetuar nga versioni i tij i mëparshëm u ricikluan dhe pas 4000 orësh punë, Omari i tretë më në fund përfundoi. Fakti që Stanley Bray e bëri sërish, pas gjithë atyre peripecive, sigurisht nuk ishte për të fituar para, por libri tashmë ishte kthyer në simbol.

/A2CNN/

Read Previous

“Revolucion” në Korenë e Jugut, të gjithë do të kenë një vit më pak

Read Next

Për herë të parë në 10 vjet, Netflix shënon rënie të numrit të abonentëve