U ekstradua nga Franca, Apeli i GJKKO lë në burg Behar Bajrin

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg Behar Bajrin, pas ekstradimit të këtij të fundit nga Franca.

Policia e Shtetit ka bërë me dije më 16 nëntor se është ekstraduar nga Franca drejt Shqipërisë, i shumëkërkuari për një sërë veprash të rënda penale, Behar Bajri.

43-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”.

Ky shtetas u kap dhe u arrestua në Francë, në muajin shtator, falë shkëmbimit të informacioneve mes policisë shqiptare dhe asaj franceze, të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e tij.

Behar Bajri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, i zhvilluar në muajin gusht, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Kjo për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, kryer në bashkëpunim”.

Bajri dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka vrarë shtetasin Gj. B.(N.), më datë 09.08.2020, në Shkodër.

Gjithashtu dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar bashkëpunëtorët e tij, iu ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e kundërshtarëve, për të organizuar prita, me qëllim vrasjen e tyre.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Bajri kundrejt ofrimit të shumave monetare funksionarëve të drejtësisë, ka bërë të mundur lirimin nga burgu, para kohe.

Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. /Albanianpost.com

Read Previous

2024, viti më i rëndësishëm zgjedhor në histori

Read Next

Eros Grezda rikthehet në Kroaci, ky është klubi i tij i ri