Turizmi kulturor në rritje, mbi 1 milion vizitorë në 8 muaj

Mbi 1 milion vizitorë vendas dhe të huaj kanë vizituar monumetet kulturore të Shqipërisë gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026.

Sipas shifrave të publikuara nga kryeministri Edi Rama, në periudhën janar-gusht janë regjistruar gjithsej 1 milion e 62 mijë e 67 vizitorë, një rritje prej 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Rritja është edhe më e ndjeshme në raport me vitet e mëparshme. Numri i vizitorëve është 21.3% më i lartë se në vitin 2024 dhe 65% më i lartë se në vitin 2023.

Në renditjen e siteve kulturore më të frekuentuara, kryeson Kalaja e Gjirokastrës, e cila ka lënë pas Parkun Kombëtar të Butrintit.

Kalaja ka regjistruar 223 mijë e 280 vizitorë gjatë periudhës janar-gusht 2026.

Në vendin e dytë renditet Parku Kombëtar i Butrintit, me 204 mijë e 867 vizitorë, ndërsa i treti është Parku Arkeologjik i Shkodrës, me 135 mijë e 293 vizitorë.

Mbi 100 mijë vizitorë ka regjistruar edhe Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, i cili është vizituar nga 104 mijë e 128 persona.

Parqet arkeologjike kryesojnë në numër vizitorësh

Sipas të dhënave, kategorinë me numrin më të madh të vizitorëve e përbëjnë parqet arkeologjike, të cilat kanë tërhequr gjithsej 448 mijë e 711 vizitorë gjatë tetë muajve.

Në kala dhe monumente kulture janë regjistruar 312 mijë e 220 vizitorë, ndërsa muzetë kombëtarë kanë pritur 301 mijë e 136 persona.

Në vijim të renditjes gjendet Parku Arkeologjik i Apolonisë, me 91 mijë e 764 vizitorë.

Ndërsa Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat ka regjistruar 70 mijë e 143 vizitorë gjatë periudhës janar-gusht.

Gjashtë sitet më të vizituara

Sipas shifrave të publikuara, renditja e gjashtë siteve kulturore më të vizituara në Shqipëri është:

  • Kalaja e Gjirokastrës – 223,280 vizitorë;
  • Parku Kombëtar i Butrintit – 204,867 vizitorë;
  • Parku Arkeologjik i Shkodrës – 135,293 vizitorë;
  • Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë – 104,128 vizitorë;
  • Parku Arkeologjik i Apolonisë – 91,764 vizitorë;
  • Muzeu Ikonografik “Onufri”, Berat – 70,143 vizitorë.

Shifrat tregojnë një rritje të vazhdueshme të interesit për trashëgiminë kulturore shqiptare, me parqet arkeologjike, kalatë dhe muzetë që vijojnë të jenë ndër destinacionet kryesore për turistët vendas dhe të huaj. /Albanianpost.com

Read Previous

Jahte luksoze në portin e Durrësit, mbi 12 milionë euro të ardhura gjatë 2025

Read Next

Zhegrova mund të marrë tjetër goditje nga Juventusi