Tuneli i Llogarasë drejt inaugurimit, çfarë duhet të mbajnë parasysh udhëtarët?

Gjithçka është gati për hapjen e tunelit të Llogarasë, i cili pritet të krijojë një lehtësi të madhe për udhëtarët në zonën e rivierës shqiptare dhe atyre që duan të shkojnë drejt pjesës më jugore të Shqipërisë.

Siç është bërë më parë me dije, tuneli do të hapet zyrtarisht këtë të premte të 6 korrikut në një ceremoni rasti, ku i pranishëm pritet të jetë edhe kryeministri Edi Rama.

Në ditët e fundit janë kryer edhe punimet për këtë tunel.

Me një gjatësi prej 5.9 kilometrash tuneli i Llogarasë shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut, duke rritur njëkohësisht edhe parametrat e sigurisë rrugore.

Koha e udhëtimit, pritet që të jetë nga 55 minuta përmes rrugës së vjetër, në vetëm 10 minuta me shkurtimin që bën kjo vepër infratrukturore.

Ai nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndoqi nga afër përgatitjet e fundit janë bërë përpara hapjes për qarkullimin e automjeteve, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.

“Jemi në momentet e fundit të përfundimit të tunelit të Llogarasë. Parashikohet që pasnesër, në datë 5, ditë e premte, në orën 10, do të jetë momenti i hapjes së këtij tuneli. Sigurisht në kantier do të vazhdohet puna, pasi po dorëzohet para afatit, ashtu siç kemi bërë tashmë me të gjitha veprat tona të mëdha infrastrukturore, por tuneli i Llogarasë ka një vlerë tjetër edhe për historikun e infrastrukturës shqiptare”, tha Balluku në atë rast.

Zëvendëskryeministrja shtoi se ndërtimi i kësaj vepre është një tjetër premtim i mbajtur, i cili po hapet për lëvizjen e automjeteve para afatit të parashikuar, duke shtuar se janë marrë të gjitha masat për sa i takon mirëmenaxhimit të kësaj vepre.

“Duke pasur parasysh që ky është një tunel totalisht modern nga ana e konstruksionit, por nga ana tjetër duhet të keni parasysh se është një tunel i menaxhuar në mënyrë elektronike, digjitale. Në hyrje, në anën e Dukatit kemi të vendosur qendrën e monitorimit të këtij tuneli, një qendër totalisht e ngritur mbi digjitalizimin, që në të ardhmen mendojmë që të përdorim dhe inteligjencën artificiale për të menaxhuar të gjithë flukset e tunelit, për të kontrolluar sigurinë rrugore brenda këtij tuneli”, tha Balluku.

Drejtori i ARRSH nga ana tjetër, njoftoi se në bashkëpunim me policinë rrugore është përgatitur edhe plani i menaxhimit të trafikut për muajt në vijim, kur tuneli do të jetë në funksion.

“Jemi në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Rrugore. Është i përgatitur plani i menaxhimit të trafikut gjatë 3 muajve në vazhdim, për sa kohë të jetë në operim tuneli. Shpresojmë që përdoruesit e tunelit të ecin me shpejtësinë e rekomanduar nga Autoriteti Rrugor dhe Policia Rrugore. Jemi gati”, u shpreh Gjyli.

Kostoja për kalimin e tunelit ndërkaq ende nuk është bërë me dije dhe pritet të bëhet publike më tej, me hapjen e tunelit.  /Albanianpost.com

Read Previous

Zgjedhjet presidenciale në SHBA, strategjitë e kandidatëve për president pas debatit

Read Next

Roberto Martinez me premtim të madh për tifozët e Portugalisë para ndeshjes me Francën