Trump shtyn përpara ligjin e “kriptovalutat e qëndrueshme”

David Sacks, këshilltari kryesor i presidentit amerikan Donald Trump për kriptovalutat dhe inteligjencën artificiale, ka deklaruar se administrata pret miratim të shpejtë dypartiak për ligjin e ri që synon të rregullojë tregun e “kriptovalutat e qëndrueshme” në SHBA, shkruan Gazeta Sinjali.

Ligji, i njohur si GENIUS Act, tashmë ka kaluar një votim procedural në Senat, me mbështetjen e 15 demokratëve, duke i dhënë mundësi për të anashkaluar ‘filibustrin’.

“Që tani kemi mbi 200 miliardë dollarë në stablecoin-a, thjesht ende nuk janë të rregulluara. Me qartësi ligjore, mund të gjenerojmë triliona dollarë kërkesë për obligacione amerikane – brenda natës,” deklaroi Sacks për CNBC.

Megjithatë, ligji është përballur me kritika serioze për shkak të lidhjeve të familjes Trump me industrinë e kriptovalutave. Një ndër stablecoin-ët që pritet të rregullohet nga ky ligj është USD1, i krijuar nga kompania World Liberty Financial, mbështetur me obligacione shtetërore dhe depozita në dollarë. Donald Trump Jr., djali i presidentit, është një nga investitorët kryesorë të kësaj monedhe. Po ashtu, një fond nga Abu Dhabi ka premtuar një investim prej 2 miliardë dollarësh në USD1 përmes platformës Binance, që përbën investimin më të madh ndonjëherë në një stablecoin të lidhur me Trumpin.

Sacks nuk pranoi të komentojë për konfliktin e mundshëm të interesit të presidentit apo familjes së tij, por theksoi se “stablecoin”-ët mund të sjellin përfitime të mëdha për ekonominë amerikane. Ai tha se ato ofrojnë një sistem pagesash më efikas dhe ndihmojnë në forcimin e dominimit digjital të dollarit amerikan.

Sipas Deutsche Bank, transaksionet me “stablecoin” vitin e kaluar kapën vlerën prej 28 trilionë dollarësh, duke tejkaluar Visa dhe Mastercard. Tregun aktualisht e dominon Tether me mbi 60% të qarkullimit.

Ndërkohë, vlera e Bitcoin ka shënuar rekord të ri, duke arritur afro 110 mijë dollarë.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Donika Gërvalla: Kjo situatë është e papranueshme

Read Next

Suedia ul nivelin e rrezikut nga terrorizmi