Presidenti Donald Trump ka njoftuar se planifikon të organizojë një ndeshje të UFC-së në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, si pjesë e festimeve për 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës vitin e ardhshëm, shkruan Gazeta Sinjali.
“Në çdo fushëbetejë dhe vend historik kombëtar do të ketë ngjarje të posaçme për nder të Amerikës 250,” tha Trump gjatë një aktiviteti të mbajtur në panairin shtetëror të Iowa-s, më 3 korrik. “Do të kemi një ndeshje të UFC – imagjinoni këtë – në oborrin e Shtëpisë së Bardhë”, shtoi ai, transmeton CNN.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi planin dhe theksoi se presidenti “është seriozisht i vendosur”. Një zyrtar i UFC-së i tha CNN-it se janë në diskutime me Shtëpinë e Bardhë për këtë organizim, megjithatë, detaje të tjera nuk janë bërë ende të ditura.
Trump ka një histori të gjatë miqësie me CEO-n e UFC-së, Dana White, që nga viti 2001, kur ai ndihmoi në mbajtjen e një eventi të UFC-së në Trump Taj Mahal në Atlantic City, në një kohë kur organizata kishte vështirësi për të gjetur vend për ndeshje.