Trump: Meritoja çmimin Nobel për zgjidhjen e problemit Kosovë – Serbi

Credit: Reuters

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka rikthyer sërish në vëmendje ndërhyrjen e tij në dialogun Kosovë–Serbi, duke deklaruar se falë angazhimit të tij u “parandalua një luftë e mundshme” mes dy vendeve gjatë mandatit të tij të parë.

Në një deklaratë për “Fox News”, Trump ka theksuar se për përpjekjet e tij në këtë dhe në çështje të tjera ndërkombëtare, ai do të duhej të shpërblehej me Çmimin Nobel.

“Duhet të më jepnin Çmimin Nobel për Ruandën, a e keni parë rastin e Kongos? Mund të thoni rasti Serbi-Kosovë. Mund të thoni shumë prej tyre. Më i madhi rast që e kam zgjidhur është Indi- Pakistan. Duhet ta kisha marrë katër ose pesë herë çmimin”, u shpreh Trump, pasi u pyet nëse do ta meritonte këtë çmim për zgjidhjen eventuale të krizës mes Izraelit dhe Iranit.

Ditë më parë, përmes një postimi në platformën e tij “Truth Social”, Trump ka lënë të kuptohet se synon të rikthehet në skenën ndërkombëtare dhe të rifillojë angazhimin në procesin e dialogut Kosovë–Serbi.

Ai ka akuzuar presidentin aktual, Joe Biden, për prishjen e asaj që ai e cilëson si progres i arritur më parë.

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përballeshin me tensione të larta, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në luftë. Unë e ndalova atë. Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë budallaqe – por do ta rregulloj përsëri!”, shkroi Trump.

Ndryshe, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.

Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Zyrtarët amerikanë e vlerësuan marrëveshjen e Uashingtonit si një fillim të ri për Ballkanin Perëndimor./Telegrafi/

Read Previous

Sot tentimi i 35-të për konstituimin e Kuvendit e Kosovës

Read Next

​Irani dhe Izraeli vazhdojnë sulmet