Trump e kërcënon BE-në me tarifa prej 50 për qind

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar të premten se do të vendosë tarifa prej 50 për qind ndaj të gjitha importet nga Bashkimi Evropian, si dhe tarifa prej 25 për qind ndaj produkteve të kompanisë Apple, nëse nuk i prodhon telefonat mobilë, iPhone, në Amerikë.

Këto kërcënime, të bëra përmes rrjeteve sociale, pasqyrojnë aftësinë e Trumpit për ta tronditur ekonominë globale me disa rreshta të shkruar, si dhe të vërtetën se tarifat e tij nuk po sjellin marrëveshje tregtare që ai kërkon, e as kthimin e prodhimit vendas që ua ka premtuar votuesve.

Trumpi u zemërua nga mungesa e përparimit në bisedimet tregtare me BE-në, e cila ka kërkuar heqjen e të gjitha tarifave edhe pse ai ka ngulur këmbë publikisht për ta ruajtur një taksë bazë prej 10 për qind për shumicën e importeve nga blloku.

“Bisedimet tona me ta nuk po shkojnë askund!” shkroi Trump në Truth Social.

“Prandaj, unë po rekomandoj tarifa të drejta prej 50 për qind ndaj Bashkimit Evropian, duke filluar më 1 qershor 2025. Nuk do të ketë tarifa, nëse produkti ndërtohet apo prodhohet në Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.

Ai gjithashtu e kërcënoi edhe kompaninë Apple me tarifa ndaj importit.

Apple tani i bashkohet Amazon-it, Walmart-it dhe kompanive të tjera të mëdha amerikane që janë në shënjestër të Shtëpisë së Bardhë.

“Kam njoftuar prej kohësh Tim Cook të Apple që pres që iPhone që do të shitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të prodhohet dhe ndërtohet në Shtetet e Bashkuara, jo në Indi apo në ndonjë vend tjetër”, shkroi Trump.

“Nëse nuk ndodh kjo, një tarifë prej të paktën 25 për qind duhet të paguhet nga Apple ndaj SHBA-së”, paralajmëroi ai.

Pasi Trump vendosi tarifa ndaj Kinës, Apple dhe Tim Cook kanë synuar ta zhvendosin prodhimin e iPhone-ve në Indi, ndërsa kompania ristrukturon zinxhirët e furnizimit.

Ky plan e ka zemëruar Trumpin, i cili e përmendi edhe javën e kaluar gjatë udhëtimit të tij në Lindjen e Mesme./rtklive

Read Previous

I riu nga fshati Dobrosh kthehet nga diaspora për të punuar në bujqësi

Read Next

Për të 20-tën herë deputetët nuk e zgjidhin ngërçin në Kuvend