Presidenti amerikan, Donald Trump, ka folur në lidhje me bisedimet për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë.
Megjithëse delegacionet ukrainaso-ruse do të takohen sot në Stamboll, i pari i shtetit amerikan nuk pret ndonjë arritje të madhe.
“Është koha që ta përfundojmë këtë çështje. Do ta mbyllim këtë”, tha 78-vjeçari, shkruan skynews.
Ai shtoi se dëshiron të zhvillojë një takim me presidentin rus, Vladimir Putin sa më shpejt – sapo të arrijnë një marrëveshje për takimin.
Trump sot përsëriti se nuk është i habitur që diktatori rus nuk erdhi në takimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpoqën të organizonin në Turqi mes delegacioneve ukrainase dhe ruse.
“Putini nuk deshi të vijë sepse unë nuk isha aty”, deklaroi lideri amerikan, i cili një ditë më parë kishte thënë se përparimi i rëndësishëm në bisedime nuk është i mundur derisa të takohen personalisht ai dhe Putini.
Ndryshe, presidenti amerikan ndodhet në ditën e fundit të vizitës në Lindjen e Mesme dhe sot foli në një aktivitet të Këshillit për Bashkëpunim Ekonomik në Emiratet e Bashkuara Arabe. /Telegrafi/