Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), John Ratcliffe, zhvilloi të enjten një vizitë në Kubë, në atë që konsiderohet si sinjali më i fortë diplomatik i administratës Trump ndaj Havanës, mes tensioneve në rritje dhe shtimit të presionit amerikan ndaj qeverisë komuniste.
Ratcliffe është zyrtari më i lartë i administratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që viziton Kubën dhe i pari në këtë nivel që prej intensifikimit të fushatës së presionit ndaj regjimit kuban.
Sipas qeverisë kubane, drejtori i CIA-s u takua me ministrin e Brendshëm të vendit për të diskutuar “situatën aktuale” mes dy shteteve. Mediat shtetërore kubane raportuan se Havana përdori takimin për të theksuar se Kuba “nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.
Vizita vjen në një moment kur administrata Trump ka shtuar ndjeshëm masat ekonomike dhe të sigurisë ndaj ishullit komunist. Presidenti amerikan ka përdorur presionin ekonomik për të ndërprerë furnizimet me naftë drejt Kubës, duke rënduar më tej krizën ekonomike të vendit.
Paralelisht, Shtetet e Bashkuara kanë rritur fluturimet ushtarake dhe të inteligjencës pranë ishullit, pjesë e asaj që pritet të jetë një forcim më i gjerë i pranisë ushtarake amerikane në rajon.
Sipas raportimeve, zyrtarë të administratës Trump, të udhëhequr nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kanë zhvilluar bisedime private me drejtues kubanë, me shpresën se vështirësitë ekonomike do ta shtyjnë Havanën të bëjë lëshime politike dhe ekonomike që prej kohësh i ka refuzuar.
Në fund të prillit, një delegacion i Departamentit amerikan të Shtetit vizitoi Havanën për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje diplomatike, ndërsa Rubio ka zhvilluar biseda direkte me Raúl Guillermo Rodríguez Castro, nipin e ish-liderit kuban Raúl Castro.
Megjithëse publikisht Rubio ka lënë të kuptohet se Washingtoni mund të pranojë reforma ekonomike në sistemin socialist kuban, ai u shpreh skeptik për ndryshime të thella politike.
“Shpresoj të jem gabim. Do t’u japim një mundësi”, tha Rubio në një intervistë për Fox News. “Por nuk mendoj se do të ndodhë, për sa kohë këta njerëz janë në krye të atij regjimi”, shtoi ai. /Albanianpost.com