Mbappe flet hapur, Arbeloa kundërshton – çfarë po ndodh brenda Real Madridit?

Kylian Mbappe u kthye të enjten mbrëma nga lëndimi që e mbajti jashtë fushës në dy ndeshjet e kaluara. Në fitoren 2:0 të Real Madridit ndaj Oviedos, francezi luajti prej minutës së 69-të.

Ylli i futbollit ka thënë se nuk ka startuar për shkak se trajneri Alvaro Arbeloa nuk e vlerëson zgjedhje të parë për sulmin.

Mbappe foli për mediat spanjolle pas ndeshjes. Ai u fishkëllye zhurmshëm nga shikuesit kur hyri në fushë.

Fillimisht është pyetur për mungesën dhe fishkëllimat.

“Ishte mëkat për mua që nuk luajta në ‘Clasico’. Kjo është jeta. Nuk mund të ndryshojmë mendimin e njerëzve. Kam pasur momente në karrierë kur jam fishkëllyer. Është pjesë e punës dhe jetës. Ndonjëherë ata nuk janë të lumtur, por janë gjithmonë këtu”, ka thënë Mbappe.

Tifozët e Madridit u revoltuan në Mbappen kur ai udhëtoi për në Itali gjatë rikuperimit nga lëndimi.

“Kur nuk isha në Madrid, kam pasur autorizim të klubit për këtë. Nuk isha i vetmi, por më duhet ta pranoj dhe të vazhdoj para. Mund ta ndryshoj lehtë situatën”.

Mbappe ka theksuar se është plotësisht i gatshëm për lojë.

“Jam 100 për qind në rregull. Nuk kam luajtur për shkak se për trajnerin isha sulmuesi i katërt në skuadër pas Mastantuonos, Vinit dhe Gonzalos. Isha i gatshëm për të startuar. Është vendim i tij dhe vendimi gjithnjë duhet të respektohet. Nuk jam i zemëruar”.

Mbappe ka thënë se dëshiron të flas me gojën e tij.

“Kjo mënyrë është më e qartë. Përgjegjësia ime e vetme është të luaj dhe të jap çdo gjë për këtë stemë”.

Golashënuesi më i mirë i La Ligas ka thënë se edicionin e kanë nisur mirë dhe më pas humbën çdo gjë në pjesën e dytë të edicionit. 

“Duhet të pranojmë kritikat dhe të kthehemi për edicionin e ardhshëm. Nuk kemi fituar trofe. Dhemb pasi kemi pasur mundësi për më mirë. E kemi dëshmuar këtë në pjesën e parë të edicionit. Ky nuk është Madridi. Ju gjithnjë duhet të prezantoni klubin në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka theksuar Mbappe.

Ai ka theksuar se ka raporte shumë të mira me Xabi Alonson, por edhe me Alvaro Arbeloan.

“Duhet të pranoni filozofinë e trajnerit dhe unë duhet të paraqitem më mirë për të luajtur para Vinit, Gonzalos dhe Mastantuonos. Nuk i shikoj konferencat për shtyp të trajnerit. Në shtëpi kam televizone franceze, jo spanjolle”.

Mbappe megjithatë ka shtuar se është i lumtur në Madrid dhe ka pyetur pse do të dëshironte të largohej. Për Florentino Perezin ka theksuar se është presidenti më i mirë në botë dhe në histori të klubit. /Koha.net/

Arbeloa mohon t’i ketë thënë Mbappes se është sulmuesi i katërt

Mosmarrëveshjet mes Kylian Mbappes dhe trajnerit të Real Madridit, Alvaro Arbeloa në një mënyrë janë konfirmuar edhe nga ky i fundit. Arbeloa ka mohuar t’i ketë thënë francezit se është vetëm zgjedhja e katërt për sulmin para ndeshjes të së enjtes ndaj Oviedos. 

“Nuk i kam katër sulmues dhe nuk i kam thënë asgjë të tillë Mbappes”, ka thënë Arbeloa.

“Ai me gjasë nuk më ka kuptuar. Nuk e di vërtetë çka t’iu them.  Nuk do t’i thosha që është zgjedhja e katërt për sulmin”, ka shtuar Arbeloa.

Mosmarrëveshjet mes tyre janë vetëm zhvillimi i radhës kaotik te Real Madridi. Një javë më parë Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni u rrahën mes tyre dhe u gjobitën nga klubi me nga 500 mijë euro. Më pas erdhi humbja 2:0 në klasiken ndaj Barcelonës që i mundësoi titullin rivales së madhe.

Të martën presidenti Florentino Perez shpalli zgjedhjet e reja të klubit, duke theksuar se ishte “viktimë” e një kampanje të organizuar për largimin e tij.

Të enjten u fishkëllyen edhe lojtarë të tjerë yje, duke përfshirë Viniciusin.

“Unë vendosi se kush luan derisa të jem ulur në karrigen e trajnerit. Nuk brengosem nëse nuk pajtohesh, pavarësisht cili është emri juaj. Dhe nëse nuk pajtoheni, mund të prisni tjetrin”, ka theksuar tutje Arbeloa.

Ai ka shtuar se Mbappe do të jetë zgjedhja e parë për sulmin dhe këtë ia ka thënë francezit. Arbeloa ka shtuar se nuk ka problem me askënd. /Koha.net/

Read Previous

Dita Ndërkombëtare e Familjes

Read Next

Trump dërgon shefin e CIA-s në Kubë