Tri humbje radhazi bëjnë që të shkarkohet trajneri i parë në Premier Ligën angleze

Humbja turpëruese me rezultat 9:0 ndaj Liverpool-it, i ka kushtuar trajnerit, Scott Parker, me shkarkim nga Bournemouth-i.

Drejtuesit e klubit kanë shkarkuar nga posti i trajnerit Parker-in pas vetëm katër ndeshjeve të para për sezonin 2022/23.

Bournemouth arriti të kalonte në Premier League vetëm në sezonin e fundit, pasi klubi anglez përfundoi i dyti në Championship.

Në fakt, aventura në Premier League nisi mirë për skuadrën e posa ngjitur në elitë, duke fituar ndeshjen e parë ndaj Aston Villa-s me rezultat 2:0.

Por më pas erdhën tre humbje radhazi nga tre ekipet e mëdha angleze: Arsenal, Manchester City dhe Liverpool.

Parker ka qenë pjesë e Tottenham U18 si trajner dhe më pas karriera e tij ka ardhur në ngjitje, pasi mori drejtimin e Fulham-it, pozitë të cilën e mbajti për 853 ditë.

Anglezi e drejtoi Fulham-in në 105 ndeshje, ndërsa Bournemouth-in e drejtoi për 55 sosh, ku suksesi më i madh ishte rikthimi i ekipit në Premier League.

Scott Parker bëhet trajneri i parë i shkarkuar për sezonin 2022/23 në Premier League. /Albanianpost.com

Read Previous

Qytetarët po privohen nga disa shërbime komunale si pasojë e grevës

Read Next

Krerët e shtetit: Serbia të pranojë krimet dhe të tregojë vendndodhjen e të pagjeturve