Titulli për këtë edicion në elitën e basketbollit të Kosovës mund të vendoset sot në Prizren, përkatësisht në palestrën “Sezai Surroi”. Bashkimi dhe Trepça përballen në një tjetër finale të fortë. Trepça ka epërsi 3:1 në serinë finale ndaj prizrenasve. Por te Bashkimi ende nuk janë dorëzuar në garën për titull dhe shpresohet në rikthim. Kështu ka thënë për KOHËN të shtunën trajneri kroat i “portokallezinjve”, Sasha Jankoviq. Trajneri Jankoviq beson se Bashkimi do ta ketë përkrahjen e zjarrtë në tribuna dhe kjo mund të jetë ndihmesë e madhe, për një rikthim të madh. Ndeshja e pestë finale nis në orën 19:00.
“Matematika është e thjeshtë. Nëse duam ta fitojmë kampionatin, na duhen tri fitore rresht. Tani fokusi ynë kryesor është të dielën, të japim nga vetja çdo gjë që kemi, për ta fituar ndeshjen. Më pas të synohet rikthimi në Mitrovicë për ndeshjen e shtatë eventuale”, ka thënë trajneri Jankoviq për KOHËN.
Katër finalet e para të plejofit kanë qenë të forta e shumica prej tyre janë vendosur në minutat e fundit. Kështu pritet të jetë edhe të dielën. Bashkimi ishte afër që të festonte në Mitrovicë të mërkurën mbrëma. Përvoja e madhe e lojtarëve nikoqirë nuk e lejoi një gjë të tillë.
“Kemi grup të mirë të lojtarëve që asnjëherë nuk dorëzohen. Do të luajmë me zemër dhe do të mundohemi t’i bëjmë tifozët të lumtur”, theksoi tekniku kroat i Bashkimit, i cili synon t’ia sjellë skuadrës titullin e dytë në histori. Titullin e parë dhe të vetëm, Bashkimi e fitoi në vitin 2018. I ka humbur dy finale të tjera nga Sigal Prishtina.
Ndërkohë, Trepça është në kërkim të titullit të gjashtë. Vitin e kaluar, skuadra mitrovicase i fitoi gjithë trofetë vendor. Në këtë edicion e ka fituar Superkupën dhe Kupën e Kosovës, ndaj Sigal Prishtinës dhe Bashkimit respektivisht.
Trajneri i suksesshëm i Trepçës, Adis Beqiragiq, e bëri të qartë se e synon fitoren në Prizren. Por, pret ndeshje të fortë.
“Po, sigurisht që udhëtojmë për fitore. Padyshim se edhe kjo ndeshje, si ato paraprake, është e vështirë. Finalet janë çdo herë të vështira. Besoj dhe shpresoj që nesër ta përfundojmë këtë seri”, ka deklaruar trajneri Beqiragiq.
Drilon Hajrizi, njëri prej basketbollistëve më të mirë vendorë prej kohësh, në një intervistë dhënë për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ka thënë se Trepça e ka kualitetin për të triumfuar edhe në Prizren.
“Aktualisht atmosfera është shumë e mirë. Ndoshta prej më të mirave që kemi pasur. Mundohemi ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Kemi një përzierje shumë të mirë mes lojtarëve vendor e të huaj. Mendoj që punën që e kemi bërë në vazhdimësi për shumë vjet, po bën që të rezultojë me suksese. Kemi edhe përvojë brenda skuadrës. Përveç që ka lojtarë me përvojë, ka edhe lojtarë me eksperiencë. Në ndeshjet e fundit kemi pasur edhe ndihmesë të madhe të lojtarëve të rinj që ka qenë shumë frytdhënës”, është shprehur ai.
Bashkimi e nisi me fitore në Prizren serinë finale 84:77. Më pas u mposht në tri ndeshje të njëpasnjëshme, duke e humbur edhe avantazhin e terrenit vendës. Bashkimi ishte i pari në stinorin e rregullt, ndërsa Trepça e dyta. Rrjedhimisht e kishte përparësinë që në ndeshjen e shtatë eventuale, të luante para shikuesve të vet. Por, Trepça i fitoi tri ndeshjet 79:72, 88:71 dhe 80:74. Tani janë “xehetarët” me avantazhin e terrenit dhe ndeshja e shtatë eventuale do të luhej në “Minatorin” e zjarrtë.