Merkatoja e verës ka përfunduar dhe është koha të bëjmë një bilanc mbi skuadrat më të kushtueshme në Evropë. Shumat janë llogaritur sipas të dhënave nga saiti i specializuar në transferime, “Transfermarkt”.
E para në listë është Chelsea, e cila është në krye me një vlerë prej 1,07 miliardë euro. Ky fakt është i pritshëm, duke marrë parasysh se londinezët kanë thuajse dy skuadra në përbërje, një situatë e pazakontë, por që është e pranishme prej dy vitesh.
Në vend të dytë renditet Manchester United, me një vlerë prej 910 milionë euro. Blerjet e merkatos së fundit kanë kontribuar ndjeshëm në rritjen e vlerës së skuadrës së “Djajve të Kuq”.
Lista vazhdon me tri skuadra të tjera angleze: Manchester City (860 milionë euro), Arsenal (673 milionë euro) dhe Tottenham (664 milionë euro).
Pas skuadrave angleze, në vend të gjashtë renditet Paris Saint-Germain, me një vlerë prej 651 milionë euro. Më pas vijnë Liverpool (620 milionë euro), Real Madrid (607 milionë euro), Newcastle United (576 milionë euro) dhe Juventus (528 milionë euro) /Telesport.al/