“Tirana po projektohet si kryeqyteti më i jashtëzakonshëm i rajonit”

Image: Lonely Planet

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin e prezantimit të projektit për rijetëzimin e “Sheshit Nënë Tereza” me një oaz të gjelbër kushtuar librit dhe një hapësirë dedikuar publikut.

Në fjalën e tij Rama u shpreh se, “kur Tirana që ne po e shohim të projektohet hap pas hapi, pas perdeve të skenës, aty ku janë arkitektët, aty ku janë zhvilluesit, aty ku janë proceset paraprake të marrë formë në realitetin e të gjithë kryeqytetasve dhe në realitetin e mbarë Shqipërisë, ky do të jetë kryeqyteti më i jashtëzakonshëm i rajonit, kjo nuk diskutohet, por do të jetë edhe një ndër qytetet më tërheqës të Evropës. Dhe këtë e them me bindje të plotë. Do të jetë një qytet ku do të ketë një arsye më shumë dhe shumë të fortë për të ardhur për të vizituar”.

“Dhe nëse në Bilbao që ishte një qytet i zymtë, një qytet i goditur jashtëzakonisht shumë dhe nga stigma e terrorizmit e pasigurisë, një qytet me një problematikë të rëndë të zhvillimit ekonomik dhe social për 1001 arsye, një vepër e jashtëzakonshme e Frank Gehry-t “Guggenheimi” solli një impakt që ka hyrë në fjalorin e të gjithë atyre që merren me këto punë si “efekti Bilbao”, efekt që lidhet me impaktin e Guggenheim-it, këtu efekti i asaj që po ndërtohet dhe që po projektohet patjetër që do të hyjë në historinë e këtij vendi dhe do të mbetet për një kohë të gjatë”.

“Nëse sot flasim për Gerardio Bozion, flasim për Armando Brasinin dhe flasim për disa italianë që i solli në Shqipëri vizioni i Mbretit Zog asokohe, por që sidoqoftë janë prani modeste të një kohe që për atë periudhë ishin nuk diskutohet një thyerje e madhe me katundin kryeqytet ose krye katundin, sot jam i bindur që më pas kjo do të jetë periudha e dytë e historisë së Tiranës kryeqytet që fillon si qytet me Bulevardin dhe me ndërtesat e projektuara nga ai grusht italianësh dhe që do të hyjë në radhën e parë të qyteteve të Evropës për arsye jo më të një grushti arkitektësh por të një armate arkitektësh, ne kështu e quajmë mes nesh “Ark Army”, që do të ketë një impakt absolutisht të ngajshëm me atë të “Guggenheimit” në Bilbao”, tha Rama.

“Siç thotë Erion Veliaj që e ka mësuar nga unë, ditët më të mira janë të gjitha përpara”, përfundoi Rama. /ATSH/

Read Previous

Slot: Fitorja sot na afron me titullin, të përgatitur për betejë

Read Next

Milan – Feyenoord, Reijnders: Rëndësi ka të dalim me fitore nga kjo sfidë