Thomas Hacker, deputeti gjerman nga radhët e liberalëve, njëherësh raportues për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin e Gjermanisë, ka deklaruar të hënën në një intervistë për mediat lokale të Kosovës se Gjermania është duke punuar për të siguruar shumicën e nevojshme për anëtarësimin e vendit të vogël në Këshillin e Evropës.
“Gjermania është një prej shteteve që më së shumti e mbështet Kosovën. Ishim ne që e shtymë Kosovën për të aplikuar në Këshillin e Evropës sepse ne mendojmë që Kosova e ka vendin aty. Fatkeqësisht, kur erdhi momenti për të votuar patëm frikë se Kosova nuk e kishte shumicën, andaj ne sugjeruam që aplikimi të shtyhej për një kohë tjetër”.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 2022. Por, ajo ndodhet në vendndalim për shkak të dialogut me Serbinë. Gjermania, Franca dhe Italia kanë kushtëzuar vendin e vogël të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për të siguruar mbështetjen e nevojshme në Komitetin e Ministrave.
“Unë garantoj që Gjermania është duke punuar në këtë drejtim për t’i ndihmuar Kosovës ta siguroj shumicën në Këshillin e Evropës”, ka shtuar deputeti gjerman nga radhët e Partisë së Lirë Demokratike (FDP) për “Tëvë1” të hënën në mbrëmje.
Gjermania, Franca dhe Italia kanë deklaruar se sapo të jetë ndërmarrë hapi i parë drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës mund të vendoset në agjendën e Komitetit të Ministrave me një perspektivë të mjaftueshme për një shumicë prej dy të tretave midis shteteve anëtare. /Albanianpost.com