Thiago Motta: Unë besoj ende te titulli, por të gjithë duhet të bëjmë më mirë

Pas barazimit në shtëpi ndaj Parmës, me një rikthim të dyfishtë nga disavantazhi, Juventusi shkon nesër në mbrëmje në Udine me synimin për të marrë tri pikët. Fitorja është jetike për t’u larguar nga vendi i gjashtë dhe mos humbur më tej kontaktet me kreun e renditjes. Napoli kryesues është tashmë 7 pikë larg.

“Duhet të bëjmë më mirë në nivelin kolektiv, të jemi më kompaktë dhe agresivë, të lëmë sa më pak hapësira për kundërshtarët”, – tha Thiago Motta në prag të ndeshjes, duke shpjeguar recetën e tij për zgjidhjen e problemit të golave të shumtë të pësuar.

Sot, Juventusi mbush 127 vjeç…
Ndihem i lumtur dhe i nderuar që jam pjesë e historisë së këtij klubi të madh, të cilit i uroj më të mirat për sot dhe të ardhmen.

Si është skuadra?
Djemtë janë mirë. Ata janë të fokusuar te ndeshja, në Udine duhet të bëjmë paraqitje të shkëlqyer kundër një skuadre që po ecën shumë mirë.

Si zgjidhet problemi i shumë golave të pësuar?
Ne duhet të bëjmë më mirë në nivel kolektiv, të kompaktësojmë veten dhe të lëmë sa më pak hapësira, duke dhënë gjithsecili më shumë. Këtë mund ta bëjmë vetëm si ekip. Jemi ende në fillim dhe e dimë që duhet të përmirësohemi.

Për shanset e pakta të Vlahovic…
Dusan, së bashku me të tjerët, sigurisht që duhet të bëjë më mirë si në fazën sulmuese, ashtu edhe në atë mbrojtëse. Nuk është çështje prekjesh të topit prej tij, por sa poseduese mund të jetë skuadra. Nuk është sasia ajo që ka rëndësi, por cilësia e asaj që bëni në fushë.

Douglas Luiz dhe Nico, a do të jenë gati për nesër?
Jo, asnjëri prej tyre.

Si është Koopmeiners?
Po bëhet më mirë. Nuk është në nivelin e tij më të mirë, sepse ka qenë jashtë veprimit për një kohë. Do të shohim se sa mund të luajë nesër, sepse është një lojtar i rëndësishëm për ne.

Cilat janë vështirësitë e sfidës së nesërme?
Do të përballemi me një ekip të strukturuar mirë fizikisht. Ndryshe nga vitet e tjera, Udinese po luan mirë futboll, ka më shumë driblime. Duhet të përmirësohemi në të dyja fazat e lojës për të fituar. Ne do të përballemi me një ekip, që po ecën shumë mirë në shtëpi. Jam dakord me Fonseca, nuk mund të fitosh një kampionat në 9 javë kampionati, as ta humbasësh atë në kaq ndeshje. Ne besojmë ende, por duhet të bëjmë më mirë, duke përfshirë edhe mua.

A mund të pushojë Vlahovic?
Është një situatë që do ta vlerësojmë sot. Në këtë moment të sezonit, lojtarët nuk janë të lodhur, ndihen mirë fizikisht. Duhet të japim diçka më shumë për të pasur atë që duam të kemi.

Si do të dëshironit të kujtoheshit në historinë e Juventusit?
Nuk është Juventusi i Motta. Unë i respektoj të gjitha mendimet, disa i konsideroj si të dobishme dhe disa jo. Duhet të jemi të fokusuar në përmirësimin e vetvetes çdo ditë, nga ndeshja në ndeshje. /Telesport.al/

Read Previous

Edhe pesë ditë nga zgjedhjet presidenciale në SHBA

Read Next

Kurti: Investimet e huaja direkte nga Zvicra në Kosovë në katër vitet e fundit janë rritur për rreth 170 për qind