The Guardian: Konferenca për njohjen e shtetit palestinez ka devijuar nga qëllimi fillestar

Britania e Madhe, Franca dhe shtetet e tjera perëndimore nuk do ta njohin një shtet palestinez në konferencën që pritet të organizohet në Arabinë Saudite këtë muaj, duke e kushtëzuar procesin me përmbushjen e disa hapave fillestarë.

Një konferencë e planifikuar këtë muaj në Arabinë Saudite, për të cilën mbështetësit e Palestinës kishin shpresuar se do të shtynte qeveritë perëndimore të njohin shtetin palestinez, ka devijuar nga ambiciet e saj dhe tanimë synon vetëm të dakordohet për hapat e mundshëm drejt njohjes, kanë bërë të ditur disa burime diplomatike për “The Guardian”. 

Ndryshimi në objektivat e konferencës, e cila pritet të mbahet ndërmjet datave 17 dhe 20 qershor, përfaqëson tërheqje nga vizioni fillestar për njohjen e Palestinës si shtet nga një grup i madh vendesh, përfshirë nga dy anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së sikurse Franca dhe Britania e Madhe.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, njëkohësisht njëri nga bashkësponsorët e ngjarjes, e ka vlerësuar njohjen e Palestinës si “një detyrë morale dhe një kërkesë politike”, porse zyrtarët francezë i kanë siguruar homologët e tyre izraelitë këtë javë, se konferenca nuk është momenti i duhur për njohje formale.

Njohja e shtetit palestinez tashmë po shihet si shpërblim që do të vijë si rezultat i masave të tjera, përfshirë një armëpushimi të përhershëm në Rripin e Gazës, lirimin e pengjeve izraelite, reformimin e Autoritetit Palestinez, rindërtimin ekonomik dhe çrrënjosjen e pushtetit të Hamasit në enklavë.

Zyrtarë izraelitë dhe amerikanë kanë marrë pjesë në takimet paraprake rreth konferencës, ndonëse nuk janë deklaruar publikisht, gjë që ka nxitur spekulime se mund ta bojkotojnë ngjarjen.

Izraeli ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të penguar palestinezët që të arrijnë vetëvendosjen.

Sipas sondazheve, vetëm një e pesta izraelitëve e mbështet modelin e dy shteteve, teksa 56% e izraelitëve hebrenj janë shprehur në favor të “transferimit të qytetarëve arabë të Izraelit nëpër vende të tjera”.

Izraeli ka miratuar gjithashtu planet për të ndërtuar edhe 22 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e pati kualifikuar këtë si “lëvizje strategjike që parandalon krijimin e një shteti palestinez”.
Më parë, njohja e një shteti palestinez shihej si kapitulli i fundit në procesin e gjatë e të mundimshëm për modelin e dy shteteve që nisi në vitet 1990. 
Megjithatë, qeveritë evropiane janë gjithnjë e më skeptike që Izraeli ka ndonjë synim për të zbutur kontrollin mbi palestinezët, përderisa e shohin njohjen si një mjet për të ushtruar presion, si dhe për të ndryshuar qëndrimin e zyrtarëve izraelitë.
Nga ana tjetër, vendet si Irlanda, Spanja dhe Norvegjia e njohën një shtet palestinez vitin e kaluar.

Read Previous

DASH: Ballkani, pjesë e strategjisë amerikane për dëbimin e migrantëve

Read Next

Rama për “Defender 25”: Një nga stërvitjet më të mëdha të dekadës së fundit