“TgCom24”: Shqipëria, destinacioni turistik i ngjashëm me Karaibet

Në pjesën jugore të vendit, nga Vlora në Sarandë, plazhet e mrekullueshme ranore dhe shkëmbore ofrojnë ujëra të kristalta bruz, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen italiane “TgCom24”.

Shqipëria është një nga destinacionet e reja për turizëm veror: lehtësisht e arritshme nga Italia.

Ende e paprekur nga flukset e mëdha turistike – Shqipëria është një destinacion, padyshim ekonomik – me peizazhe mahnitëse, qytete dhe qyteza të lashta plot histori dhe sharm, plazhe që duken si ato të Karaibeve.

Vendi po përgatitet për të përmbushur standardet e mikpritjes të kërkuara nga turizmi i huaj.

Një destinacion ideal për turistët që duan t’i shpëtojnë turmave dhe që kërkojnë autenticitet.

Me detin e saj të bukur, Shqipëria është destinacioni i duhur për pushime verore – tërësisht në det apo natyrë.

BREGDETI JUGOR – Pjesa më jugore e Adriatikut ofron peizazhe natyrore marramendëse, që shtrihen nga Vlora në Sarandë dhe më gjerë – në zonën e Parkut Kombëtar të Qafës së Llogorasë – (pranë Italisë, por ende larg imagjinatës së turistëve) – me male të gjelbra dhe plazhe ranore dhe shkëmbore me det të kristaltë.

Deti në Shqipëri është sinonim i pushimeve me kosto të ulët.

Zona bregdetare, megjithëse e mbushur me turistë në gusht, nuk është prekur ende nga turizmi masiv dhe çmimet e hoteleve dhe restoranteve janë të përballueshme.

Ja disa nga vendet më të bukura:

VLORA, HISTORIA DHE PLAZHET – Vlora është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, e themeluar në shekullin VI para Krishtit me emrin Aulona.

Në vitin 733 u aneksua nga Kostandinopoja: më pas i përkiste Normanëve dhe Mbretërisë së Serbisë nga viti 1345.

Në vitin 1464 u pushtua nga turqit dhe, për një kohë të shkurtër, ishte edhe venedikase.

Jo shumë larg Vlorës ndodhet plazhi i Jalës, i cili ndodhet në jug të qytetit, disa kilometra përtej Drimadhes më të famshme, pranë fshatit Vuno.

Një plazh magjepsës dhe i qetë, me rërë, i lagur nga ujëra të mrekullueshme bruz, me transparencë kristalore.

Drimadhes është magjepsës: një gji i shkëlqyer me rërë të artë – ku mund të ngrini kamping ose të merni me qira një vilë dhe të shijoni një nga perëndimet spektakolare të diellit – karakteristike e kësaj pjese të Shqipërisë.

SHPELLA E PIRATËVE – Plazhi i Livadhit, në rrëzë të kalasë së qytetit, është i rrethuar nga bimësi e dendur dhe mure shkëmbore.

Edhe këtu deti është jashtëzakonisht transparent, dëshmi e një natyre që ruhet ende.

Shumë restorante në Himarë shërbejnë pjata të shijshme dhe të lira me bazë peshku, kallamarësh dhe karkalecash.

Pranë Dhërmiut, një fshat i lashtë plot atraksione me një plazh të mrekullueshëm në formë gjysmëhëne, ndodhen gjiret e vogla dhe të bukura, Plazhi Shkambo, Plazhi Jaliksari dhe Plazhi i Gjipesë, që shtrihen në rreth 2 kilometra.

Ato mund të arrihen me makinë, me varkë ose në këmbë për 15-20 minuta – përgjatë shtigjeve të mbushura me vreshta që lidhin rrugën me bregdetin.

Mos e humbisni Shpellën e Piratëve – që dikur strehonte grabitqarët e detit dhe sot është e famshme për intimitetin e hapësirës së saj.

PLAZHET QË SHOHIN KORFUZIN – Saranda ka një gji të vogël të hapur në jug dhe të rrethuar nga kodra, dhe ishullin grek të Korfuzit pikërisht përballë saj.

Një zinxhir i ngushtë kodrash e ndan atë nga fushat e vendosura në lindje – formacioni kodrinor shtrihet në jug deri në kanalin e Vivarit dhe në veri të qytetit ngrihet deri në 600 metra mbi nivelin e detit.

Në zonën e Sarandës, mos humbisni Ksamilin, një vendpushim turistik në bregdet pranë qytetit të lashtë të Butrintit dhe 17 kilometra nga Saranda – dhe me disa ishuj të vegjël të bukur rreth plazhit madhështor.

Së fundmi, Plazhi i Pulëbardhës, absolutisht ndër më të bukurit në Shqipëri – nga i cili mund të niseni me varkë për të zbuluar dhe shijuar gjiret e mrekullueshme të vogla që shpërndahen në bregdetin aty pranë./atsh/KultPlus.com

Read Previous

Paskal Milo: Çështja e Kosovës unifikoi faktorin shqiptar

Read Next

Sot dita e Distria Krasniqit në Botërorin e Xhudos