Vidhen mbi 100 armë zjarri nga një depo në Gjakovë, policia nis hetimet
Tetë raste të dhunës në familje janë përfshirë në raportin e fundit të Policisë së Kosovës, ku 6 persona janë arrestuar dhe 5 prej tyre janë dërguar në mbajtje.
Sipas raportit policor, 4 raste janë regjistruar në Prishtinë, ndërsa nga 1 në Pejë, Gllogoc, Obiliq dhe Malishevë. Rastet përfshijnë dhunë psikike, fizike, kanosje dhe mosmarrëveshje familjare.
Në Prishtinë, një grua ka raportuar se në vazhdimësi ka përjetuar dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, me të cilin nuk bashkëjeton prej disa muajsh. Rasti përfshin periudhën 22–30 tetor 2026, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Një tjetër rast në kryeqytet është raportuar më 30 tetor, ku një grua ka deklaruar se ishte kanosur nga ish-bashkëshorti i saj më 29 tetor, në orën 16:00. Ajo ka raportuar gjithashtu se i dyshuari posedonte armë zjarri në shtëpi.
“Njësit policore me urdhër të prokurorit kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshuar”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Po ashtu, në Prishtinë, më 30 tetor, është raportuar se një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe ka kanosur bashkëshorten e tij. Policia ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Në një rast tjetër në kryeqytet, më 30 tetor, në orën 20:00, një grua ka raportuar se ka përjetuar dhunë fizike nga bashkëshorti. I dyshuari është arrestuar, por pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në Pejë, më 30 tetor, një grua ka raportuar se ishte ndarë nga bashkëshorti para disa muajsh dhe se procedura e shkurorëzimit është ende në proces gjyqësor. Sipas policisë, çifti ka 2 fëmijë, ndërsa gruaja ka deklaruar se ish-partneri vazhdon t’i dërgojë mesazhe dhe se ajo ka frikë nga ai.
Rasti është evidentuar me datën 9 korrik 2026, ndërsa është raportuar më 30 tetor. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Gllogoc, më 30 tetor, në orën 09:30, është arrestuar një burrë pasi dyshohet se ka kanosur bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Në Obiliq, po atë ditë, në orën 12:15, është raportuar se një grua ka përjetuar dhunë psikike nga bashkëshorti. Sipas policisë, i dyshuari nuk është hasur, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.
Ndërkaq, në Malishevë, më 30 tetor, në orën 23:15, është raportuar një rast i dhunës në familje, ku kishte ndodhur një fjalosje ndërmjet nuses dhe vjehrrit.
Policia ka bërë të ditur se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Sipas të dhënave të përfshira në raportin policor, nga 8 rastet e evidentuara, 6 persona janë arrestuar, 5 prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa 1 është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit. /KosovaPress/