Autoritetet amerikane janë përfshirë në hetimin e sulmit kibernetik ndaj platformës së kriptovalutave Binance, ku u vodhën rreth 6.3 miliardë dollarë.
Sipas Reuters, FBI-ja dhe Shërbimi Sekret amerikan po hetojnë rastin, ndërsa kompania ka premtuar se do t’i mbulojë humbjet e klientëve.
Sulmi ndodhi më 29 tetor, kur hakerët arritën të hynin në sistemet e Binance dhe të transferonin shuma të mëdha parash digjitale. Pjesa më e madhe e vjedhjes u krye brenda vetëm 20 minutash.
Binance njoftoi më 30 tetor se ka ndarë mbi 6.34 miliardë dollarë nga fondet e veta për të mbuluar dëmet e shkaktuara.
Kompania ka bërë të ditur se rreth 3 miliardë dollarë nga mjetet e vjedhura janë ngrirë, duke penguar përkohësisht transferimin e tyre nga hakerët. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se paratë janë kthyer përfundimisht.
Sipas Binance, janë siguruar gjithashtu mbi 5 miliardë dollarë në kriptovaluta, që përbëjnë rreth 80% të shumës së përgjithshme të humbur.
Hetimet e para kanë ngritur dyshime se hakerët mund të kenë hyrë në sistem përmes kompjuterit të një punonjësi. Megjithatë, kontrollet e mëvonshme kanë zbuluar se mund të jenë përdorur edhe mënyra të tjera për të depërtuar në rrjetin e kompanisë.
Dyshimet për sulmin janë përqendruar te grupe hakerësh të lidhur me Korenë e Veriut. Kompanitë amerikane të sigurisë TRM Labs dhe Chainalysis kanë vlerësuar se pas vjedhjes mund të qëndrojnë këto grupe, por përgjegjësia e tyre ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Ngjarja ka ndikuar edhe në tregun e kriptovalutave. Çmimi i Bitcoin ka rënë deri në 76,368 dollarë, niveli më i ulët në 6 javë, ndërsa rënie kanë shënuar edhe valuta të tjera digjitale.
Pas sulmit, Binance ka pezulluar përkohësisht mundësinë e tërheqjes së parave nga platforma, për të kryer kontrolle shtesë të sigurisë.
Kompania ka premtuar se klientët nuk do t’i humbin paratë e tyre për shkak të sulmit dhe se shërbimet do të rikthehen gradualisht gjatë fundjavës.
Hetimet për identifikimin e autorëve dhe mënyrën se si është kryer vjedhja po vazhdojnë. /KosovaPress/
Burimi: Reuters, AFP dhe Binance.