Shiroka-Pula: Fuqizimi ekonomik i grave, thelbësor për zhvillimin e shoqërisë

Në Prishtinë është organizuar edicioni i katërt i Konferencës Rajonale për Gratë Ndërmarrëse dhe Takimeve B2B, “SHE RISES REGIONAL 2026”, e cila ka mbledhur gra ndërmarrëse nga Kosova, rajoni dhe diaspora, me synimin për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe zgjerimi të bizneseve.

Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e cila ka theksuar rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave, duke e cilësuar atë jo vetëm çështje të barazisë gjinore, por edhe faktor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ajo ka thënë se gratë ndërmarrëse ende përballen me pengesa në qasjen në financim, tregje dhe rrjete biznesore, ndaj ka kërkuar krijimin e kushteve që ato jo vetëm të hapin biznese, por edhe t’i zhvillojnë dhe zgjerojnë ato.

“Kur gratë kanë mundësi të zhvillojnë bizneset e tyre, përfiton e gjithë shoqëria. Krijohen vende pune, rritet konkurrenca dhe forcohet ekonomia”, ka deklaruar Shiroka-Pula.

Presidentja ka përmendur edhe mbështetjen që kanë marrë gratë në Kosovë përmes programeve të punësimit, duke bërë të ditur se mbi 12 mijë gra kanë përfituar nga këto programe. Megjithatë, ajo ka vlerësuar se nevojitet më shumë mbështetje, veçanërisht në qasjen në kredi dhe në krijimin e shërbimeve të kujdesit për fëmijë.

Ndërkaq, presidentja e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, Aferdita Kelmendi, ka theksuar se fuqizimi i grave nuk duhet të lidhet vetëm me suksesin profesional apo pozitën që mbajnë, por me njohjen e kontributit të tyre në të gjitha fushat e shoqërisë.

“Pavarësia ekonomike nuk është vetëm mundësi për të fituar, është edhe liri për të zgjedhur, për të vendosur dhe për të ndërtuar jetën ”, ka thënë Kelmendi.

Në konferencë ka folur edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, i cili ka vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për tejkalimin e pengesave me të cilat përballen gratë ndërmarrëse.

Ai ka theksuar se përmes CEFTA-s dhe nismave të tjera rajonale mund të krijohen mundësi më të mira për qasje në tregjet fqinje, gjetjen e klientëve të rinj dhe zhvillimin e partneriteteve biznesore.

“Duke u lidhur përtej kufijve, gratë ndërmarrëse mund të shkëmbejnë përvoja, të identifikojnë sfida të përbashkëta dhe të avokojnë së bashku për politika që u përgjigjen nevojave të tyre”, ka deklaruar Schuebel.

Edhe shefi i Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Kosovë, Sergiy Maslichenko, ka ritheksuar mbështetjen e këtij institucioni për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht ato të drejtuara nga gratë.

Ai ka bërë të ditur se BERZH-i ofron jo vetëm financim, por edhe këshilla biznesore, si dhe mbështetje për krijimin e lidhjeve me tregje dhe rrjete të reja.

Maslichenko ka përmendur gjithashtu nënshkrimin e një programi të ri me Bankën TEB, duke theksuar se bashkëpunime të tilla synojnë të ndihmojnë bizneset e grave të rriten dhe të zhvillohen.

Konferenca “SHE RISES REGIONAL 2026” është shoqëruar edhe me takime B2B, të cilat synojnë të krijojnë kontakte të reja, partneritete konkrete dhe mundësi bashkëpunimi ndërmjet grave ndërmarrëse nga vende të ndryshme. /RTKlive

Read Previous

Gjykata Supreme: Nuk mund të mbahet patenta deri në fund të masës mbrojtëse

Read Next

Laura Fazliu humb në gjysmëfinale, synon medaljen e bronztë në Abu Dhabi