Takimi i shumëpritur midis presidentit amerikan Joe Biden dhe homologut rus Vladimir Putin ka një datë tashmë të caktuar.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, i pohuar edhe nga burime amerikane, takimi virtual do të mbahet ditën e martë.
Edhe pse problematikat midis dy vendeve janë të shumta, është e qartë që diskutimet e të martës do të përqendrohen te tensioni gjithmonë e më i lartë në kufirin midis Rusisë dhe Ukrainës.
Në mediat ndërkombëtare, që kanë marrë informacione të shërbimeve sekrete perëndimore, thuhet se më shumë se 90 mijë ushtarë të Moskës janë pozicionuar në kufi, ndërkohë që ditën e djeshme autoritetet ukrainase deklaruan hapur se Rusia po përgatit një operacion të madh ushtarak në territoret ukrainase të lindjes, të vetëshpallura të pavarura./Gazetasinjali