Një incident i rëndë tronditi Londrën një javë më parë. Një përplasje e armatosur u shënua gjatë një ceremonie mortore. Thuhet se personat e përfshirë në përplasje ishin anëtarë të kartelit të kokainës Cali në Kolumbi.
Megjithatë, Policia Metropolitane mohoi zërat se kolumbianët po përfshihen në një luftë për territor në Britaninë e Madhe.
Gazeta ‘Telegraph’ shkruan se tanimë, tregtinë e kokainës e kontrollojnë shqiptarët.
“Ndërsa është sigurisht e vërtetë që shqiptarët dhe jo kolumbianët, dominojnë tregtinë në rritje të kokainës që ka pllakosur në këtë vend, gjurmët e kartelit famëkeq Cali mbeten, në formën e ‘fiksuesve’ me vlerë të madhe”, shkruan gazeta.
Martin Verrier, një studiues në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara shpjegon se çfarë janë ‘fiksuesit’.
“Disa individë nga karteli Cali operojnë ende në Mbretërinë e Bashkuar, por ata janë të vetëpunësuar. Bandat shqiptare tani kontrollojnë tregtinë e drogës në Britani- çdo gjë që nga zinxhiri i furnizimit përtej Atlantikut e deri te shpërndarësit e thjeshtë- por për të importuar kokainë, ju duhet një ‘fiksues’ vendor, dikush që njeh të gjithë njerëzit e duhur.
Këta ‘fiksues’ janë shumë të rëndësishëm për bandat, pasi pa to, do të ishte shumë e vështirë të kesh akses të shpejtë te shërbimet kriminale që duhen, që nga falsifikimi i dokumenteve, pastrimi i parave, kompanitë që maskojnë importin”.
Shqiptarët kanë arritur të kontrollojnë të marrin nën kontroll rrugët e drogës nga kartelet dhe mafia, jo thjesht duke qenë më të dhunshëm, por edhe kryesisht duke qenë më profesionistë se rivalët e tyre shpesh kaotikë, shkruan gazeta.
“Duke aplikuar metoda biznesi në tregtinë e drogës, duke nënvlerësuar rivalët dhe duke i bërë operacionet e tyre më efikase, ata mund të ofrojnë një çmim më të mirë për prodhuesit në Kolumbi dhe Ekuador. Sapo kokaina del nga linja e prodhimit, shqiptarët marrin përsipër gjithçka, që nga ngarkimi i dërgesave e deri tek mbërritja në duart e klientëve. Ata gjithashtu preferojnë të shmangin dhunën, pasi ajo sjell vëmendje të padëshiruar- kërcënimet me dhunë shpesh janë të mjaftueshme”, shkruan gazeta.
/GazetaSinjali/