Ka shkuar në 158 raste numri i personave të helmuar që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, por nga Komuna kanë thënë se situata është nën kontrollë dhe po monitorohet në vazhdimësi nga organet kompetente, shkruan Reporteri.net.
Drejtori për Shëndetësi, Hajdin Berisha dhe drejtori i QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi, kanë thënë se pavarësisht rritjes së numrit të personave të helmuar situata është nën kontrollë të plotë dhe janë marrë të gjitha masat për ofrimin e shërbimeve të nevojshme shëndetësore.
Drejtori i QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi ka thënë se pacientët kanë kryesisht simptoma të vjelljes, barkqitjes, ethe e temperaturë.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë të shtunën se gjendja e të helmuarve një ditë më parë në Komunën e Malishevës është stabile.
Ministri Vitia ka thënë se 11 qytetarë janë të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe nëntë tjerë janë në shtirë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, ka thënë të shtunën në një konferencë për media se agjencia ka kryer inspektim të detajuar në biznesin e dyshuar.“Gjendja e përgjithshme sanitare, higjienike ka qenë e nivelit jo të mirë. Ky vlerësim është bërë nga ekipi inspektues. E dyta, nuk kanë pasur libreza sanitare punonjësit e atij lokali, që sipas ligjit kërkohet t’i kenë. Nuk ka pasur të kryer dezinfektim, deratizim dhe dezinsektime, që përsëri është kriter”.
“Po ashtu, aty janë gjetur disa produkte që ne i quajmë pa origjinë, nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për t’u ditur origjina e tyre. Ka pasur produkte që janë gatuar brenda asaj kuzhine, dhe këto të gjitha janë fakte që do t’i evidentojmë në proces dhe më pas organet tjera do t’i vlerësojnë”.
Ndërkohë që Policia e Kosovës në raportin e publikuar dje ka bërë me dije se është arrestuar pronari i lokalit dhe se i njëjti është dërguar në mbajtje.
“PRODHIMI, VËNIA NË QARKULLIM E ARTIKUJVE TË DËMSHËM USHQIMOR – Rr. Abdyl Mazreku-Malishevë,13.10.2023-16:48. Nga QKMF –Malishevë është raportuar se nga ora 16:48 e datës së lartcekur e deri në mesnatë ndihmë mjekësor kanë kërkuar rreth 63 persona nën dyshimin se janë infektuar nga ushqimi nga një lokal ushqimor në Malishevë, ndërsa tre prej tyre janë dërguar në QKUK-ë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhej në raportin e Policisë./Reporteri.net/