Të hënën Ministrat e Jashtëm të BE-së takojnë ata të Ballkanit Perëndimor

Këshilli i Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, të hënën, do të zhvillojë mbledhjen e saj të radhës i cili do të udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, njofton Këshilli i BE-së.

Më 13 nëntor Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së, pritet të diskutojnë mbi agresionin rus kundër Ukrainës dhe zhvillimet e fundit në lidhje me Armeninë dhe Azerbajxhanin.

Pas Këshillit të Punëve të Jashtme, Ministrat e BE-së do të marrin pjesë në takimin ministror ndërmjet BE-së dhe Ballkani Perëndimor.

Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën, së bashku me ata të BE-së, do të kenë një takim me fillim në orën 17:30 i cili do të drejtohet nga Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Komisioni Evropian ka miratuar të mërkurën një paketë të madhe të asistencës financiare, për Ballkanin Perëndimor e njohur ndryshe si “Plani i Rritjes”, prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027.

Sipas planit, nga kjo shumë, deri në 2 miliardë euro do të shkojnë si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor do të mund të përfitojnë nga këto burime financiare duke respektuar mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumëpartiak, sundimin e ligjit dhe garantimin e respektimit të të gjitha detyrimeve për të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e anëtarëve të pakicave. /Albanianpost.com

Read Previous

Kurti takon kryesuesin e Presidencës së Bosnjës, flasin për lëvizjen e lirë mes dy vendeve

Read Next

Ndihmës-Sekretar i SHBA-së, James O’Brien në Paris, do të takojë Kurtin