Ministria e shëndetësisë ka informuar se nga 70 mostra, të dërguara ditë më parë në Gjermani, sekuencionimi është bërë në 59 raste, prej të cilave në 12 raste (20.33%) është detektuar varianti Delta Plus dhe në 47 raste është detektuar varianti Delta (79,66%). Ekipet e IKSHPK-së vazhdimisht janë duke hulumtuar të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve, detektimin e hershëm të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut për variantin e ri Delta PLUS. Të gjendur në një situatë të tillë, profesionistët shëndetësor thonë se ekziston mundësia që së shpejti të fillojë edhe zbatimi i dozës së tretë të vaksinës anti-covid për të parandalur ndonjë valë të re të infektimit.
Lidhur me këtë çështje ne kemi pyetur disa nga qytetarët e komunës së Gjakovës për përhapjen e variantit të ri dhe se a hezitojnë ata të marrin dozën e tretë të vaksinës nëse rekomandohet nga profesionistët shëndetësor. Disa nga të intervistuarit janë shprehur se nuk i frikësohen pasi që tani janë mësuar të jetojnë në kushte pandemike.
Ndërkaq endokrinologu, Luan Gola apelon tek qytetarët që ende nuk janë vaksinuar të kryejnë procesin e vaksinimit, sidomos ata me sëmundje kronike, pasi kjo është mënyra më e mirë që të mbrohemi.
Edhe pse varianti Delta akoma është dominant (79.66%), ekziston rreziku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri Delta Plus thuhet në inforimimin e Ministrisë së shëndetësisë. IKSHPK planifikon që të hënën më 15.11.2021 të dërgojë mostrat e tjera pozitive me SARS-CoV-2 të mbledhura gjatë dy javëve të fundit, përmes të njëjtit projekt, me qëllim të mbikëqyrjes virologjike të varianteve të SARS-CoV-2 në qarkullim në Kosovë.