Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së premte iu ka dërguar partive politike në vend, letër për takim. Ky takim do të mbahet në lidhje me caktimin e datës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Me të marrë këtë letër, partitë politike u përgjigjen pozitivisht. Takimi i presidentes me partitë politike do të mbahet nesër (31 korrik 2024), në orën 14:00.
Deputeti i VV-së, Armend Muja i tha RTV21 se do të marrin pjesë në takimin me presidenten Vjosa Osmani për vendosjen e një date për zgjedhjet e reja dhe nuk beson se do të krijohet ndonjë krizë parlamentare.
Po ashtu ditë më parë, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se kjo parti do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve të rregullta. Çitaku ka thënë se kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.
Pjesëmarrjen në takimin e 31 korrikut e ka konfirmuar edhe LDK-ja.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj do të shkojë në takimin e nesërm të thirrur nga presidentja Osmani për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve. Këtë e ka konfirmuar këtë të martë, zëdhënësi i AAK-së Kushtrim Xhemajli.
“Mund të ju konfirmoj që kryetari Haradinaj do të marrë pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta”, ka thënë Xhemajli për rtv21.tv./21Media