Dy persona janë ekstraduar pas një bashkëpunimi të Interpol Tirana me homologët europian. Një shtetas italian i dënuar me 6 vite e 8 muaj burg për veprën penale “shtrëngim dhënie pasurie” është ekstraduar nga Shqipëria për në Itali.
Gjithashtu një shtetas shqiptar është ekstraduar nga Vjena për në Tiranë, pasi ishte dënuar më herët me 3 vite burg për kalim të paligjshëm të kufirit.
Njoftimi
Nga Shqipëria në Itali, ekstradohet një shtetas italian, i dënuar me mbi 6 vjet burgim, për shtrëngim për dhënie pasurie.
Nga Vjena në Shqipëri, ekstradohet një shtetas shqiptar, i dënuar me mbi 3 vjet burgim, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale, ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali dhe në Austri, u finalizuan procedurat për:
-ekstradimin nga Shqipëria në Itali, të shtetasit italian R. B, i dënuar në vitin 2014, nga Gjykata e Savonas, me 6 vjet e 8 muaj burgim, për shtrëngim për dhënie pasurie;
-ekstradimin nga Vjena, në Shqipëri, të shtetasit N. A., 26 vjeç, i lindur në Bulqizë, i dënuar në vitin 2022, nga Gjykata e Elbasanit, me 3 vjet e 4 muaj burgim, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve. 26-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit me burgim, rreth 2 vjet.
Bashkëpunimi me homologët vijon. /Euronews.al/