Në komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, vazhdojnë të qarkullojnë automjetet me targa jolegale, me akronimin “KM” (Mitrovica e Kosovës), të cilat qytetarët e këtyre komunave i regjistrojnë në territorin e Serbisë.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë që nuk kanë ndonjë urdhër nga instancat politike të vendit, për të ndaluar qarkullimin e automjeteve me targat “KM”.
Me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Pavarësisht se me marrëveshjet e arritura në Bruksel, targat ‘KM’ duhej të dilnin nga përdorimi, makina me targa të tilla shihen në qarkullim në Mitrovicë të Veriut.
Targat e tilla ishin me akronimet “KM” (Mitrovica e Kosovës), “PR” (Prishtinë), “UR” (Ferizaj), “PZ” (Prizren), “GL” (Gjilan). Prishtina zyrtare i konsideronte dhe vazhdon t’i konsiderojë të paligjshme.
Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, cila thekson që kjo marrëveshje ka nisur të zbatohet në dhjetor të vitit 2011.
Automjetet me targa “KM” regjistrohen në Serbi
Një qytetar serb nga Mitrovica e Veriut, me inicialet G.M., identiteti i të cilit është i njohur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se automjeti i tij, ashtu sikurse edhe ato të shumicës së qytetarëve në komunat e veriut të Kosovës, bartë tabela me targa “KM”.
“Targat i kam të Serbisë, me ‘KM’. Automjetin e regjistroj në Rashkë. Që nga paslufta është kështu dhe pjesa veriore, mendoj se të gjithë i regjistrojnë në Rashkë”, theksoi qytetari serb nga Mitrovica e Veriut.
Ai shtoi se me këto targa kalon pa ndonjë problem edhe në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi në Bërnjak dhe Jarinjë.
“Me këto targa nuk mund të qarkulloj vetëm në pjesën jugore të Kosovës. Por, qarkulloj në të gjithë veriun, në Serbi, në Mal të Zi dhe kështu me radhë. Nuk kam pasur probleme, të paktën jo deri më tash”, theksoi qytetari serb nga Mitrovica e Veriut.
Marrëveshja për heqjen e targave që i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë për serbët e Kosovës është zbatuar në të gjitha komunat në jug të lumit Ibër, por jo edhe në komunat veriore.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, thotë se policia ka arritur që në komunat veriore të largojë nga qarkullimi automjetet pa targa fare dhe pa sigurim./Telegrafi/