Tajani: Marrëveshja e emigrantëve me Shqipërinë e ka pikënisjen në muajin prill

“Nuk është një marrëveshje e lindur me një gotë verë në pushime”.

Kështu është shprehur ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani në një intervistë për “Corriere Della Sera”, sa i takon marrëveshjes për emigrantët të nënshkruar midis kryeministres Giorgia Meloni dhe homologut të saj shqiptar Edi Rama.

Ai thotë se marrëveshja e ka sfondin e krijuar që nga prilli i këtij viti, dhe jo siç u prezantua se ndodhi gjatë pushimeve të Melonit në Shqipëri.

Ministri Tajani shpjegoi se negociatat janë menaxhuar fillimisht nga ministria e Jashtme dhe se takimi i parë operacional është zhvilluar më 6 prill të këtij viti.

Ai thekson se posedon dhjetëra procesverbale, emaile, raporte takimesh mes zyrtarëve dhe liderëve shqiptarë.

“Kam lexuar histori dhe artikuj në gazetat italiane që janë vërtet absurde, të rreme. Është një marrëveshje e gjithë qeverisë italiane, mbi të cilën kanë punuar së bashku Kryeministria Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e  Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë. I gjithë negocimi, që në fazat fillestare, u menaxhua normalisht nga ministria ime”.

Tajani bëri me dije se “takimi i parë përgatitor u mbajt në zyrën time në Palazzo Chigi”.

“Pas një takimi fillestar që pata me Giorgia Melonin, organizova një takim më 6 Prill 2023, takim paraprak operacional mes Ministrisë së Jashtme, asaj të Brendshme dhe ambasadës tonë në Tiranë”.

Marrëveshja

Qeveria shqiptare, të martën e 7 nëntorit, ka zbardhur Protokollin e firmosur ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Kështu bëhet me dije se marrëveshja për strehimin e emigrantëve – të kapur në det nga Italia  – në dy qendrat e ndërtuara në Shqipëri, do të zgjasë plot pesë vite.

Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori.

Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.

Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare.

Neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se shteti fqinj merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse të cilat parashikohen të ngrihen në Shëngjin dhe në Gjadër.

Neni 4, që është pika kryesore e këtij protokolli thekson se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve.

Kufiri maksimal i pritjes së së të huajve do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë.

Gjithashtu Italia do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, duke përfshirë kostot e kujdesit shëndetësor dhe tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare.

Po ashtu, në dokumentin e firmosur përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit dhe mbrojtjes.

Në përfundim të procedurave, sipas nenit 9, është pala italiane që kryen me shpenzimet e saj largimin e migrantëve nga Shqipëria.

Shqipëria do shoqërojë emigrantët me policinë e saj dhe do vërë në dispozicion sipas rastit forcat e armatosura. /Albanianpost.com

Read Previous

OBSh: Sistemi shëndetësor në Gaza është në kolaps

Read Next

Kush është Arbnor Muçolli, risia në listën e Sylvinhos