Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, tha se Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, i cili pritet të diskutohet në takimin e 2 majit në Bruksel, do të përcaktoj fatin e kufijve në Ballkanin Perëndimor.
Në krye të agjendës së takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Modeli i statutit të asociacionit të cilin Kurti nesër do ta negocioj me Vuciç-in në Bruksel do të ndikoj në funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe në fatin e kufijve në Ballkan sepse do të frymezoj gjitha pakicat në Ballkan edhe më shumë shqiptarët në Maqedoninë Veriore sepse nuk janë pakicë atje por janë gjysma e popullates”, theksoi Tahiri.
Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë për median sllovake “Dennik”, tha se mbi tryezën negociuese do të jetë Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për të “përcaktuar statusin ligjor të serbëve të Kosovës” dhe “se çfarë kompetencash do të ketë”.
“Për mua e rëndësishme është që më 2 maj të kemi takimin e planifikuar mes Presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit Kurti në Bruksel, ku fillimi i procesit të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumcië serbe do të jenë në agjendë. Draft-Statuti do të paraqitet, i cili është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Lajçak.
Për diplomatin sllovak, ndonëse tema e Asociacionit të Komunave me shumicë serbë është tejet e ndjeshme, ajo që do të ndodhë në Bruksel “do të jetë hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, duke iu qëndruar pas modeleve evropianeve që rregullojnë çështjen e pakicave kombëtare në Evropë.
“Është temë e ndjeshme, ka ende shumë për të biseduar rreth saj, por për mua është e rëndësishme që më në fund të nisim të përcaktojmnë se çfarë do të thotë ky Asociacion, cili do të jetë statusi ligjor i tij, çfarë kompetencash do të ketë. Do t’u rrimë prapa modeleve evropiane”, shtoi ai.
Ky takim vjen pasi Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha më 18 mars përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian. /Albanianpost.com