Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kryeministri i Kosovës në vend që të merret me pandeminë dhe ekonominë e rrënuar prej saj, ai e ka izoluar Kosovën dhe vet ka shkuar në Shqipëri për të marrë pjesë në fushata zgjedhore.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së e ka quajtur këtë mungesë përgjegjësie, mungesë aftësie dhe mungesë njohurie.
“Po bëhen tri javë prej se është formuar Qeveria Kurti 2 dhe ajo ende nuk ka dhënë asnjë shenjë se është adresë e qytetarëve, ndërkohë që në këto rrethana pandemie çdo qytetar ka nevojë të llogarisë në Qeverinë e vendit të tij. Ne po shohim se për këto 20 ditë, kemi pasur Qeveri, por nuk kemi pasur qeverisje dhe as plan për qeverisje. Kjo flet për mungesë përgjegjësie, mungesë aftësie dhe mungesë njohurie“, ka thënë Tahiri.
Këto komente, Tahiri i bëri sot përmes një konferencë për media në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
“Përveç paaftësisë për menaxhimin e pandemisë në rrafshin e shëndetit publik, Kurti deri më sot nuk ka ndërmarrë as edhe një hap sa i përket dimensionit të gjendjes së ekonomisë në pandemi. Ka marrë një vendim për mbyllje të disa profileve të bizneseve për një periudhë të caktuar, dhe i ka ekspozuar dy ministra në një konferencë për media – për ta dhënë gjoja një lajm se këto biznese do kenë mbështetje, edhe pse nuk u sqarua deri më sot – as si, as sa dhe as kur do ta ofrojë Qeveria këtë mbështetje“, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, Qeveria Kurti ende nuk ka dhënë asnjë shenjë se është adresë e qytetarëve
“Nuk treguan asnjë shenjë se e kanë prioritet përdorimin e institucioneve për t’u dalë në ndihmë familjarëve dhe familjeve të njerëzve të zakonshëm të Kosovës”, ka ndër të tjera Tahiri. /Gazeta Sinjali