El Nino mund të sjellë temperatura rekord dhe mot ekstrem në vitin 2027
Besnik Tahiri, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se kërkesa e tyre për debat parlamentar lidhur me sektorin e energjisë, do të diskutohet në seancën e së enjtes.
“E para, kërkesa e grupit tonë parlamentar, pra kërkesa e Aleancës është miratuar; të enjten do të debatojmë për energjinë. Do të debatojmë për temën më të rëndësishme sot për sot që e ka Kosova, e ajo është jo vetëm mungesa e energjisë elektrike, mirëpo edhe aspektet që ndërlidhen me çmimin e rrymës, por njëkohësisht edhe me elementet që ndërlidhen me transaksionet dhe me krejt blerjen e rrymës”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri më tej tha se është shqetësuese fakti që janë shpenzuar mbi një miliard euro për blerjen e energjisë elektrike gjatë viteve të qeverisjes aktuale. Ai tha se kjo çështje meriton trajtim edhe në Kuvend, krahas hetimeve të Prokurorisë.
“Blerja e rrymës mbi 1 miliard euro është një çështje që do të duhej të kishte jo vetëm hetim brenda Prokurorisë, por edhe hetim dhe diskutim parlamentar”, u shpreh ai.
Tahiri foli edhe për njësinë B1, duke pretenduar se ajo nuk është në funksion dhe se kjo e rrit varësinë e Kosovës nga importi i energjisë elektrike.
“Tema e energjisë është tema kyçe për Kosovën, për ekonominë, mbi të gjitha për çmimet e larta që janë në Kosovë”, ka deklaruar Tahiri. /RTKlive