El Nino mund të sjellë temperatura rekord dhe mot ekstrem në vitin 2027

Viti 2026 po vazhdon serinë e temperaturave rekord në nivel global, ndërsa Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëron se fenomeni El Nino mund të intensifikojë më tej ngrohjen globale dhe të shkaktojë kushte ekstreme të motit gjatë vitit 2027. Pasojat e ndryshimeve klimatike po vërehen përmes shkrirjes së akullnajave, rritjes së nivelit të detit dhe shtimit të rreziqeve për miliona njerëz.

Sipas raportit të ri të Organizatës Botërore Meteorologjike, 12 vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë, ndërsa katër vitet e fundit renditen ndër më të ngrohtat. Nga janari deri në shtator të vitit 2026, temperatura mesatare globale ishte rreth 1.47 gradë Celsius mbi nivelin paraindustrial.

Organizata paralajmëron se fenomeni El Niño, i cili është intensifikuar që nga gushti, mund të bëhet një nga më të fuqishmit e regjistruar. Ky fenomen pritet të ndikojë në rritjen e mëtejshme të temperaturave, si dhe në shtimin e valëve të të nxehtit, cikloneve tropikale dhe stuhive të fuqishme të shiut.

Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Botërore Meteorologjike, Celeste Saulo, ka paralajmëruar se El Niño do të shtojë rreziqet klimatike. Sipas saj, ndikimi më i madh i këtij fenomeni në temperaturat globale zakonisht ndihet një vit pas zhvillimit të tij, çka rrit mundësinë që viti 2027 të sjellë rekorde të reja të temperaturave.

Raporti thekson se oqeanet kanë thithur rreth 90 për qind të nxehtësisë së tepërt të planetit. Gjithashtu, viti 2026 pritet të jetë viti i dhjetë radhazi me temperatura rekord të ujërave oqeanike.

Ndërkohë, niveli i detit ka arritur pikën më të lartë të regjistruar ndonjëherë, akullnajat po vazhdojnë të shkrihen, ndërsa rezervat e ujërave të ëmbla janë në rënie që nga viti 2014.

Raporti u publikua në ditën e parë të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31, që po mbahet në Antalia të Turqisë. Të dhënat përfshijnë periudhën deri në shtator të vitit 2026 dhe nuk pasqyrojnë ende ndikimet më të fundit të fenomenit El Niño.

Raporti përfundimtar për gjendjen e klimës globale gjatë vitit 2026 pritet të publikohet në mars të vitit 2027. /RTKlive

Read Previous

Tahiri: Blerja e rrymës mbi 1 miliard euro kërkon edhe diskutim parlamentar

Read Next

Ministria e Shëndetësisë: 171 profesionistë shëndetësorë janë kthyer për të punuar në Kosovë