Çitaku pas takimit të grupit punues për Hagën: Janë arritur disa marrëveshje

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka konfirmuar se janë arritur disa marrëveshje në takimin e grupit punues për strategjinë shtetërore lidhur me apelimin e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Pas përfundimit të takimit në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, Çitaku tha se anëtarët janë dakorduar që diskutimet dhe detajet e punës së grupit të mbeten konfidenciale.

“Ne jemi dakorduar për konfidencialitetin e këtij grupi. Duhet të flasë puna, jo deklaratat. Disa marrëveshje po, jo për publik”, u shpreh Çitaku.

Ndërkohë, anëtarët e tjerë të grupit punues nuk janë deklaruar për media lidhur me diskutimet dhe rezultatet e takimit.

Në mbledhjen e udhëhequr nga ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, morën pjesë edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, si dhe Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Grupi punues është themeluar nga Qeveria e Kosovës për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurën e apelimit të aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan më 16 shtator me gjithsej 71 vjet burgim për krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. /KosovaPress/

Read Previous

​Nis protesta kundër vrasjes së grave në Prishtinë, kërkohet përgjegjësi institucionale