​Nis protesta kundër vrasjes së grave në Prishtinë, kërkohet përgjegjësi institucionale

Ka nisur protesta mbarëkombëtare kundër vrasjes së grave në Kosovë, e organizuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor.

Protestuesit janë mbledhur pranë Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, me pankarta që përmbajnë mesazhe kundër dhunës ndaj grave dhe institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e tyre.

“Shtet dhunues, shtet pa shpirt!”, “A ka shtet për gratë?” dhe “A duhet me u vra për me u marrë seriozisht?” janë disa nga mesazhet e protestuesve.

Protesta është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili kërkon që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.

Organizatorët kanë paralajmëruar kërkesa për shkarkime dhe ndjekje penale të zyrtarëve që dyshohet se kanë dështuar në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

Në mesin e kërkesave janë shkarkimi dhe ndjekja penale e ish-kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, prokurores së rastit, Suada Rama-Hamza, si dhe zyrtarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë, policisë dhe shërbimeve sociale.

Protestuesit kërkojnë gjithashtu largimin nga detyra të ministrave Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Kërkesat përfshijnë edhe sigurimin e banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, veting të pavarur dhe apartiak në sistemin e drejtësisë, si dhe legalizimin e sprejit vetëmbrojtës për gratë.

Protestat kundër vrasjes së grave kanë vazhduar që nga 25 tetori, kur Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës. /KosovaPress/

Read Previous

Rashford: Askush sa Yamal nuk i afrohet kaq shumë nivelit të Messit, mund t’i fitojë 7 “Topa të Artë”